Fotografi francez, i cili ka qenë në qendër të akuzave për sulme seksuale, gjë që kontribuoi në shtyrjen e çmimit Nobel të këtij viti në letërsi, u akuzua për dy raste të përdhunimit nga prokurorët në Stokholm, nga të cilat është dënuar me dy vite burg.
Një gjykatë suedeze e shpalli Jean-Claude Arnault, 72 vjeç, fajtor për përdhunimin e një gruaje në një apartament në Stokholm, në vitin 2011.
Arnault, që është i njohur në Suedi, është i martuar me një ish-anëtare të Akademisë shekullore Suedeze. Kriza bëri që Akademia të anulonte dhënien e çmimit Nobel për Letërsinë këtë vit.
Në fund të vitit të shkuar, rreth 18 gra akuzuan Arnaultin për ngacmime seksuale dhe agresione në kuadër edhe të lëvizjes “#metoo”, duke bërë që të niste një hetim i prokurorëve.
Vet Arnault ka hedhur poshtë incidentet për të cilat akuzohet, shumica e të cilave thuhet se kanë ndodhur në prona të lidhura me Akademinë ose në klubin e tij të letërsisë.
Të gjitha akuzat, me përjashtim të njërës, u rrëzuan në përfundim. Në prill të këtij viti, Organizata Kulturore Suedeze ka përpiluar një raport të brendshëm për rastin, e po atë muaj votoi për shkarkimin e bashkëshortes së Arnault, poetes dhe shkrimtares Katarina Frostenson, nga komiteti i tij prej 18 anëtarësh.
Kjo, së bashku me akuzat për konflikt interesi dhe rrjedhjen e informacioneve në shtyp për emrat e fituesve të Nobelit të Letërsisë, kanë ndarë Akademinë dhe kanë çuar në një valë dorëheqjesh, përfshirë shefen e Akademisë, Sara Danius.
Teknikisht, anëtarët e Akademisë Suedeze nuk mund të japin dorëheqje nga pozicionet që i mbajnë për jetë. Por, ata thjesht mund të mos marrin pjesë në aktivitetet e Akademisë.