Në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës politika shqiptare dhe ajo kosovare janë bashkuar me urimet e tyre për këtë vit jubile.

Në Prishtinë është mbajtur mbledhja e parë solemne e qeverisë në 10-vjetorin e Pavarësisë së shtetit të Kosovës. Nga ku kemi shkëputur një pjesë të fjalimit të kreut të qeverisë, Ramush Haradinaj.

Advertisement

“Kosova ka arritje, por dhe shumë sfida që do t’i kapërcejmë. Ende nuk janë përmbushur të gjitha detyrimet për një shtet modern, por jemi në një rrugë të pakthyeshme. Kosova sot, po promovon vlerat demokratike të një shteti të barabartë. Urime dhe rrugëtim të mbarë vendi tonë”,– uroi Haradinaj.

Nga ana tjetër Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkoi në Prishtinë për të festuar Pavarësinë e Kosovës, ku mori edhe një medalje nga Presidenti Thaçi, por ai në Prishtinë bëri edhe një deklaratë në një intervistë televizive.

“Demarkacioni është një problem i shpikur, është një problem i shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që nuk ka asnjë bazë reale”,- u shpreh Rama.

Por kjo deklaratë nuk kaloi pa përgjigje nga kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj. Ai menjëherë shkruajti në Facebook: “Urime Pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”.

Rama i ndërgjegjshëm, mesa duket, për dëmin që mund të shkaktonte ky qëndrim i tij, në një kohë kur në Kosovë sapo ishte vendosur që të mbahej edhe mbledhja e Kuvendit për marrëveshjen me Malin e Zi, zbuti situatën nga përplasja e qëndrimeve, duke i shkuar për vizitë në shtëpi kryeministrit Haradinaj.

Rama i shkoi menjëherë në shtëpi Ramushit. Vetëm një orë pas deklaratës së Haradinaj, Rama postoi një foto me fjalët, “përplasje gotash në shtëpinë e Haradinajve”.

Në fakt, kjo është përplasja e parë publike në nivele kaq të larta politike mes Tiranës dhe Prishtinës.

Dhe kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nëpërmjet një videomesazhi ka uruar të gjithë qytetarët për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Ky ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Të mendosh gjithë atë përpjekje, për luftën, për fitoren e luftës dhe pastaj për të fituar paqen, ajo që është arritur në Kosovë është e mrekullueshme. Unë e di që ne të gjithë jemi kritikë, të gjithë jemi cinikë, të gjithë jemi skeptikë, gjithmonë mundohemi të gjejmë diçka që nuk shkon, por le t’i shikojmë 10 vjet dhe atë që është arritur. Unë besoj që kjo është një ditë për të reflektuar se sa kemi arritur, por ama edhe për të hapur imagjinatën tonë se sa larg mund të shkojmë. Shqipëria dhe Kosova e kanë të ardhmen përpara, ditët më të mira janë përpara nesh, kur ne bashkëpunojmë për të punuar për vendin tonë. Ju uroj të gjithëve gëzuar 10-vjetorin e pavarësisë. Urime dhe shumë dashuri e përqafime nga Tirana!”,- tha kryebashkiaku Veliaj.

Sigurisht që në këtë ditë të shënuar nuk mund të mungonte dhe urimi i kryetarit të opozitës shqiptare, Lulzim Bashës. Ai ka zgjedhur që urimin e tij ta bëjë nëpërmjet rrjetit social Facebook.

Urimi i Bashës:

Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Gëzuar këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët! Sot, ne jemi të gjithë me mendje dhe me zemër në Kosovë. Përulemi para veprës së Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e mijëra bijave e bijëve të Kosovës dhe mbarë kombit që luftuan e sakrifikuan për këtë ditë të madhe. Sot kujtojmë me përmallim të gjithë të dashurit tanë që u ndanë nga ne me pengun se nuk e panë dot Kosovën të lirë. Por mbi të gjitha, sot jemi krenarë për Kosovën. Jemi kryelartë para botës dhe kombeve se Kosova ka treguar cdo ditë në këta 10 vjet se pavarësia e saj ishte jo vetëm drejtësi njerëzore dhe historike, por edhe burim për paqen, zhvillimin dhe europianizimin e të gjithë Ballkanit. Jemi plot besim se Kosova ka përpara një të ardhme të ndritur, të përparuar dhe europiane. Sot, ne e dimë se e ardhmja e të gjithë shqiptarëve është e bekuar. Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë!

Ndërsa urimin më të thjeshtë, e zgjodhi Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka përzgjedhur një foto të shkrepur gjatë pritjes së organizuar për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Krah fotos, Meta shkruan: Gëzuar Kosovë!