Partizani fiton derbin dhe shpallet kampion pas 26 vjetësh

Pas 26 vitesh pritje, Partizani ia ka dalë të rikthehet te titulli kampion, festën për të cilin e ka nisur pikërisht në përfundim të derbit të kryeqytetit, ndaj Tiranës, në stadiumin “Selman Stërmasi”, takim që përfundoi me triumfin 2-1 të të kuqve.

Kur kanë mbetur edhe 3 javë nga fundi, “te kuqtë” hapën zyrtarisht shampanjën e titullit kampion, në një sezon ku kanë treguar nëj ecuri mjaft të mirë dhe konstante, teksa kanë qëndruar në krye për pjesën më të madhe të kampionatit.

Advertisement

Sa i përket sfidës së sotme, “të kuqtë” kaluan të parët në avantazh, me anë të sulmuesit shkodran Eraldo Çinari, i cili gjuajti nga distanca në mënyrë fantastike dhe la të shtangur portierin e Tiranës, Alesio Abibi.

Barazimi i bardhebluve erdhi vetëm 5 minuta nga fundi i pjesës së parë, kur në portën e Alban Hoxhës shënoi numri 7 i Tiranës, Bedri Greca. Megjithatë në pjesën e dytë ishte sërish shkodrani Çinari, i cili mori një top të gjatë në hyrje të zonës së bardhebluve dhe shfrytëzoi maksimalisht një dalje aventureske të portierit Abibi, për të shënuar golin e dytë të Partizanit, duke skuqur sërish derbin.

Një sfidë spektakolare u zhvillua edhe në Gjirokastër, ku Luftëtari mposhti Kukësin me rezultatin 3-2 dhe hodhi një hap mjaft të rëndësishëm drejt sigurimit të mbijetesës në Kategorinë Superiore.

Gjirokastritët shënuan me Chanti që në minutën e 6’ të takimit, por verilindorët e nisën vrullshëm pjesën e dytë, duke shënuar me Reginaldo dhe Willian dhe duke përmbysur sfidën.

Megjithatë Luftëtari nuk mund të pajtohej me humbjen në shtëpi dhe shtoi presionin në gjysmëfushën e Kukësit, ndërsa në minutën e 74-t gjeti barazimin me anë të Dunga dhe vetëm 7 minuta më vonë, golin e fitores me anë të Rapos.

Braziliani i huazuar nga Kukësi, Roger bëri heroin te Kastrioti, pasi shënoi dy herë në portën e Flamurtarit dhe u dha krutanëve 3 pikët, falë triumfit me rezultatin 2-0. Me këtë rezultat, por edhe duke shtuar faktin që Tirana humbi 2-1 në derbin ndaj Partizanit, Kastrioti rihap bindshëm garën për mbijetesë, pasi tani ka vetëm dy pikë më pak se bardheblutë.

Betejën për Europën, në Korçë, mes Skënderbeut dhe Teutës, e fituan durrsakët falë rezultatit 1-2, ndërsa me këtë 3 pikësh, të besuarit e Shkëmbit ngjiten në vendin e tretë me 51 pikë. Sidibe dhe Bushiç shënuan për durrsakët, ndërsa korçarët rihapën takimin në minutën e 85-të me anë të Krasniqit, por nuk ia dolën të marrin qoftë edhe një pikë.

/GazetaShqip/