Pas ndarjes tragjike nga jeta të reperit Mac Miller si pasojë e mbidozës dhe problemeve të Demi Lovatos, të famshmit janë bërë mjaft të ndërgjegjshëm lidhur me këtë problem duke e trajtuar edhe në rrjetet sociale.
Menaxheri i Justin Bieber ka folur hapur gjatë një interviste me “The Red Pill Podcast” për një nga periudhat më të errëta në jetën e këngëtarit. Scooter Braun i rikthehet vitit 2014, kur Justin ishte vetëm 19 vjeç dhe rrëfen se frika e tij më e madhe ishte se jeta e këngëtarit do të këputej në lule të rinisë.
“Ishte një periudhë kur nuk mund të flija dot natën sepse kisha frikë se do ta humbisja. Mendoja se çdo natë ishte e fundit. Me aq shumë pisllëqe që mund t’i fuste trupit gjatë natës, mendoja se nuk do të zgjohej dot të nesërmen në mëngjes”,–tregoi menaxheri.
Kujtojmë se gjatë asaj periudhe Justin është arrestuar disa herë për shkak se drejtonte makinën i droguar. Vitet e fundit ai ka hequr dorë nga varësia përfundimisht.