Fati i Versace-s në duart e Michael Kors

Shtëpia italiane e modës, Versace, iu shit kompanisë së njohur amerikane Michael Kors Holdings për 2.2 bilion dollarë.

Me blerjen e shtëpisë italiane të modës, grupi i modës Michael Kors Holdings do të ndryshojë emrin e tij në Capri Holdings.

Advertisement

“Ky është një moment shumë emocionues për Versace,” tha Donatella Versace në një deklaratë, “Ka më shumë se 20 vjet që kur e mora kompaninë së bashku me vëllain tim Santo dhe vajzën Allegra. Jam krenare që Versace mbetet shumë e fortë”, është shprehur Donatella.

Drejtoresha artistike e firmës shtoi se: “Ne të gjithë jemi shumë të ngazëllyer për t’u bashkuar me një grup të udhëhequr nga John Idol, të cilin gjithmonë e kam admiruar si vizionar, si dhe një udhëheqës të fortë dhe të apasionuar. Besojmë se të qenit pjesë e këtij grupi është thelbësor për Versace-n”.

Familja Versace do të bëhet aksionere e Capri Holdings Limited, ku Donatella do të ruajë rolin e saj si drejtoreshë artistike e shtëpisë së modës. Capri Holdings, dikur Michael Kors Holdings, tani ka tre shtëpi të mëdha të modës nën mbikqyrje: Michael Kors Collection, Jimmy Choo dhe Versace.