Ditën e nesërme Dua Lipa pritet të performojë në një koncert gjigand në Prishtinë së bashku me emrat më të mëdhenj të muzikës botërore organizuar nga i ati i saj.
Këngëtarja me origjinë shqiptare është shprehur jashtëzakonisht shumë e lumtur që do të performojë përpara të gjithë patriotëve dhe dashamirësve të muzikës së saj. Në një konferencë me mediat në Kosovë, Dua ka thënë se që dy vite më parë kishte dashur të bënte diçka të veçantë në vendlindjen e saj.
Gjithashtu me anë të fondacionit të saj të njohur “Sunny Hill Foundation”, Dua ka shpërndarë 100 mijë euro për bamirësi, eventet kulturore dhe shkollat e muzikës në Kosovë. Ajo ka thënë se gjithmonë do të jetë në mbështetje të artistëve shqiptarë që emri i Kosovës të bëhet i njohur nga të gjithë.
Dua ka shprehur dëshirën që të gjitha këngëtaret e njohura shqiptare si Rita Ora, Bebe Rexha apo Era Istrefi më vonë të marrin pjesë në të njëjtin festival që organizohet nga babai i saj, Dukagjin Lipa.
“Faleminderit të gjithëve për përkrahjen e Sunny Hill Foundation dhe Sunny Hill Festival. Kemi shpërndarë €100,000 për bamirësi, evente kulturore dhe shkolla të muzikës në Kosovë.
Ju falenderojmë përzemërisht për ndihmën tuaj dhe ju urojmë një jetë të gjatë së bashku për përparimin e artit, kulturës dhe rinisë të Kosovës.”
“Sunny Hill Foundation” u themelua rreth 2 vitë më parë, ceremonia hapëse e të cilit u organizua përmes koncertit që këngëtarja mbajti në Prishtinë më 9 gusht ku premtoi se gjithë të ardhurat do të shkonin për bamirësi.