Derbi i 149 mes Partizanit dhe Tiranës do të jetë një çudi më vete. “Të kuqtë” e presin Tiranën si në shtëpi në stadiumin e “bardhebluve”, por veç kësaj, në stadium nuk do të ketë asnjë tifoz të skuadrës së Tiranës, pikërisht për këtë arsye.
Edhe pse tifozeria e Partizanit do të jetë e vetme në “Selman Stërmasi”, policia e kryeqytetit thotë se masat janë marrë si zakonisht.
“Që nga ora 14 shërbimi ka marrë detyra për të spastruar për të mos lejuar asnjë mjet të parkuar përreth stadiumit. Policia do të shoqërojë tifozerinë e Partizanit, që do të nisen nga ’21 Dhjetori’ me destinacion stadiumin ‘Selman Stërmasi’. Ndërkohë, tifozeria e Tiranës ka njoftuar se do të vazhdojë ta bojkotojë stadiumin”, tha Dhimitraq Ziu, nëndrejtor i Policisë së Tiranës.
Grupimi i tifozerisë bardheblu, “Fanatics”, i qëndron vendimit të tyre për të bojkotuar stadiumin deri në largimin e presidentit Refik Halili. Për këtë arsye, ata do të mblidhen në sheshin “Straus” pranë zonës së njohur si “Xhamlliku”.
Një organizim i tillë ka ndodhur edhe disa vite më parë, kur tifozeria “bardheblu” ishte e dënuar për ndeshjen Tirana-Vllaznia. Ndërkohë që policia do të jetë e pranishme por nuk do të ketë ndonjë masë të veçantë për këtë grumbullim.
“Ne marrim përgjegjësinë në ato ambiente që janë miratuar përpara fillimit të kampionatit, që do të thotë vetëm në stadiumet e miratuara. Por nëse do të shikohet ndeshja, edhe policia do të ketë në konsideratë, sepse do të jetë një ambient ku është i pranishëm një komunitet i tërë, e ku rendi e siguria garantohen nga policia. Për këtë ndeshje janë angazhuar rreth 500 forca policie, në një bashkëpunim nga punonjës të patrullës së përgjithshme, të policisë kriminale, të forcës së posaçme, Shqiponjat dhe komisariatet e ndërhyrjes së shpejtë”, shtoi më tej Dhimitraq Ziu.