E ftuar sot në emisionin e përditshëm You&Me në NRG Radio me Julkën dhe Arjonin ishte këngëtarja Aurela Gaçe, duke dhënë kështu intervistën e saj të parë në radio.
Plot me humor e batuta, mjaft spontane dhe tepër origjinale, nga Aurela buron gjithmonë energji. Kjo sepse siç e tha dhe vetë këngëtarja “energjia është nga përbrenda, çfarë t’i thuash vetes në kokë, e bën”. E pikërisht ashtu siç ishte e lodhur, ajo u ngrit dhe dha një intervistë “ujë në djersë”.
Po kur bëhet fjalë për performancat (të cilat zgjasin më shumë se një orë) mos ndoshta energjia e saj ka nevojë për stimulues të jashtëm?
“Unë kam 25 vjet që kështu jam shfaqur në publik. Nëse do të kisha nevojë për një stimulues do të dukej. Une e kuptoj dhe jam mësuar (me faktin që publiku mund të mendojë kështu)… edhe unë kur e shikoj veten time në disa nga performancat live në video, them “uaa s’ka mundësi”, kështu që nuk kanë faj që mendojnë ashtu”,-shpjegon Aurela dhe më pas vijon, “Nëse dikush merr një stimulues mbasi këndon e para e punës njëherë nuk është normal kur flet, kurse unë kontrolloj çdo gjë, unë për tre orë e kam syrin “pishë”, nuk më shpëton gjë!”, -shprehet ajo duke treguar qartë sa e dashuron profesionin e saj.
Ah, dhe nëse keni ende dyshime, këngëtarja është gati të hedhë një bast të madh, se le muzikën përgjithmonë për një shumë të madhe parash, nëse i gjendet qoftë edhe një gram substancë në trupin e saj.
Eh pra, e kuptuam qartë që është pikërisht energjia e brendshme është ajo që e shtyn atë të jetë kaq dinamike.