Pijanecë apo pijedashës, kjo varet nga këndvështrimi personal, por Lezhjanët kryesojnë listën kur vjen puna për shpenzimet më të larta për pije alkoolike dhe duhan, gati dy herë më shumë se mesatarja e vendit.
Sipas të dhënave që ka publikuar Instituti i Statistikave, në Anketën e Buxhetit të Familjes 2017, Qarku i Lezhës ka përqindjen më të lartë të shpenzimeve ndaj totalit, rreth 5.7%, të cilat kanë shkuar për alkool e cigare.
Ata janë renditur të parët me një diferencë shumë të ngushtë më dibranët, të cilët për një kohë të gjatë kanë ruajtur vendin e parë kur vjen puna për shpenzimet për alkool. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve, familjet e Qarkut të Dibrës shpenzuan mesatarisht për alkool rreth 5.4% të totalit të asaj që konsumojnë për të plotësuar nevojat e tyre. Dibranët kanë thyer vazhdimisht rekord për alkool, teksa në 2015-n, shpenzimet për pije alkoolike zinin rreth 10.6% të totalit.
Qarqe të tjera me një përqindje të konsiderueshme të shpenzimeve për alkool janë Elbasani me 4.9%, me një rritje prej 0.8 pikësh në krahasim me një vit më parë; Berati me 4.8% të shpenzimeve, apo rreth 0.3 pikë më shumë se periudha paraardhëse dhe Kukësi me 4.1%, i cili krahasuar me një vit më parë i ka ulur shpenzimet për alkool me 0.1 pikë.
Korçarët shpenzuan për alkool gjatë 2017-s rreth 3.6% të totalit, ndërsa Tirana dhe Fieri, secili nga 3.1%.
Për sa iu përket shkodranëve, në 2017-n ulën shpenzimet për alkool në rreth 2.9% të totalit, nga 3.2% që shpenzuan një vit më parë.
Vlora dhe Durrësi kanë shpenzuar për alkool përkatësisht 2.8%, ndërsa gjirokastritët janë pak pijedashës.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në totalin e shpenzimeve në Qarkun e Gjirokastrës, shpenzimet për alkool zinin rreth 2.3%, me rënie krahasuar me një vit më parë dhe më i ulëti ndër qarqe.
Në total, shpenzimet për alkool sipas Anketës së Buxhetit të Familjes 2017 llogariteshin 3.5% e totalit. Sipas INSTAT shpenzimet për alkool kanë ardhur në rritje në krahasim me një vit më parë me një ndryshim prej 2.1%./Monitor/