Pas 6 vitesh, sheshi “Skënderbej” u tejmbush mbrëmjen e djeshme, teksa në skenë doli Rita Ora, e cila u rikthe për një koncert në Tiranë.
“Do të këndoj diçka speciale për ju sonte, një këngë që është pjesë e albumit tim më të ri. “Soul Survivor”, mesazhi i së cilës është të jesh një mbijetues dhe të jesh krenar për atë që ti je”, u shpreh Rita Ora.
“Your song” ishte kënga e parë e Rita Orës, që elektrizoi jo vetëm skenën, por gjithë të pranishmit në sheshin “Skënderbej”, ndërsa spektakli vijoi me të tjera këngë hit të saj. Në repertorin e saj nuk mungoi as një surprizë për shqiptarët: miksimi i një prej hiteve më të mira të Rita Orës me një nga vallet më të njohura të trevave shqiptare, asaj të Rrugovës.
Por ajo ka befasuar teksa ka kërcyer për pak momente edhe në ritmet e muzikës tradicionale shqiptare. E ndërsa koncerti po i afrohej fundit, ajo ka shprehur dëshirën për të kënduar sërish përpara publikut shqiptar.
Ndërkohë, para se të ngjitej në skenën e sheshit “Skëndërbej” këngëtarja Rita Ora, e shoqëruar nga i ati dhe e motra, u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai e falenderoi atë për imazhin që përcjell në botë si përfaqësuese e shqiptarëve dhe frymëzuese e brezit të ri, dhe në shenjë mirënjohje i dhuroi asaj Çelësin e Qytetit.
Pas koncertit ajo falenderoi të gjithë 250.000 të pranishmit (sipas saj) që ndodheshin në shesh për të, nëpërmjet një fotoje në Instagram.
“Faleminderit të 250 mijë njerëzve që ishin këtu sonte. Mund të ishit kudo në botë, por ishit këtu për mua,” shkruajti Rita.