Reshje intensive shiu në veri/ Moti i keq do të mbajë ‘mbërthyer’ vendin deri në 21 janar, paralajmërim për përmbytje në Shkodër e Lezhë…

Reshje intensive të shiut priten në vendin tonë përgjatë kësaj jave, duke rikthyer rrezikun për përmbytje.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, në një dalje për mediat, njoftoi se reshjet e shiut dhe në disa zona të borës do të vazhdojnë deri në 21 janar. Sasia më e madhe e reshjeve është regjistruar në Alpet Shqiptare, duke arritur në 120 mm në Theth dhe Valbonë.

Advertisement

“Kishim paralajmëruar se në këto 24 orët e fundit do të kishim rritje të prurjeve në basenet e lumenjve.

Deri tani, nuk kemi raportime për situata problematike, kuotat e lumenjve deri më tani janë në kuota normale. Në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Dibër mund të kemi vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Mund të ketë përmbytje të lokalizuara në varësi të gjendjes së kanalizimeve”, tha Peleshi, ndërsa kërkoi që bashkitë të marrin masa për kontrollin e lumenjve dhe mbajtjen në gatishmëri të ekipeve dhe mjeteve të punës.

Këtë të martë priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës, reshje intensive në Dibër dhe Lezhë dhe mesatare në qarqet e tjera të vendit.

Ndërkohë, sipas MeteoAlb, gjysma e parë e kësaj jave do të shoqërohet me rrebeshe shiu në të gjithë territorin, ndërsa gjatë pjesës së dytë të javës do të ketë më pas reshje shiu, më shumë reshje bore shoqëruar me rënie temperaturash.

“Pjesa e parë e javës, deri ditën e enjte do të ketë rrebeshe në pjesën më të madhe të territorit. I gjithë pellgu i Drinit do të marrë sasinë më të madhe të reshjeve, duke rrezikuar disa zona si Shkodra, Lezha dhe Durrësit, më pak Tirana apo pjesërisht Vlora.

Problem do të jetë edhe era, që do të sjellë probleme në trafikun detar. Në pjesën e dytë të javës, do të ulet intensiteti i reshjeve dhe do të kemi ulje temperaturash. Po ashtu do të kemi reshje bore që do të zbresin deri në zonat e ulëta”, shpjegoi Lajda Porja, në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Top Channel.