Reshat Arbana bën atë që nuk ka dashur kurrë pas 78 vitesh

Tre ditë më parë, aktori i njohur shqiptar Reshat Arbana ka festuar ditëlindjen e 78-të.

Për herë të parë në gjithë këto vite jetë, miqtë, kolegët dhe familjarët u mblodhën për të festuar pranë tij. Sipas Tirana Post, organizimi u bë nga Bashkia e Tiranës dhe gjatë fjalës që mbajti para njerëzve të dashur Arbana ka zbuluar se nuk i ka dashur kurrë përvjetoret, ndaj nuk i ka festuar.

Advertisement

“Asnjëherë nuk i kam festuar përvjetoret sepse nuk i dua. Më krijojnë emocione shumë të mëdha, por sonte po më duket krejt ndryshe. Për burrin qenka trimëri e madhe të bëhet 78 vjet, e të eci nga 80-ta, por na qenka edhe një mjerim i madh, kur mendon se ku do iki pas këtyre viteve që po kalojmë. Po ishallah në atë dynja, do shkojmë te ai vendi i mirë, jo te ai i keqi atje. Faleminderit shumë, ju jam shumë mirënjohës, jashtëzakonisht faleminderit. Kam emocione shumë, më besoni që kam shumë emocione. Por, ju falenderoj shumë me gjithë zemër dhe jua shpërblefsha që të gjithëve në gëzime, në festa nëpër familjet tuaja”, tha Arbana.

 

Në festë kanë qenë të pranishëm edhe kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

“Na ka mbledhur një gëzim shumë i madh, ditëlindja e Bacës Reshat. Do doja që sot të ishte një moment që të kujtojmë jetën e një miku shumë të dashur, një njeriu që na ka frymëzuar. Teksa, shihja fëmijët që shkonin në disa nga shkollat tona të reja apo të rikonstruktuara, mendova se ne e kemi vënë bastin tek kjo gjeneratë. Nuk e di çfarë do thotë Baca Reshat, por shqetësimi im dhe i shumë njerëzve që angazhohen publikisht është, kush do e marrë stafetën? Kush do e marrë stafetën në teatër, në kulturë, në politikë? Kush do e marrë stafetën në sipërmarrje dhe në biznes? Besoj se e ardhmja e këtij qyteti dhe e vendit tonë është te ky brez i ri dhe te fëmijët tuaj”, tha Veliaj.