Nuk gjen dot një fustan… Po po…Bebe Rexha

Bebe Rexha u nominua për një Grammy në kategorinë “Best New Artist” dhjetorin e shkuar. Një lajm fantastik, pa dyshim, por vetëm se ka një problem. Bebe s’gjen fustan për tapetin e kuq e për ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

29-vjeçarja postoi një video në Instagram ku vihet re acarimi i saj me dizajnerët që nuk prodhojnë fustane për masa më të mëdha se 32 ose 34. “Më në fund u nominova për Grammy dhe më besoni është diçka e mrekullueshme. Zakonisht, artistët flasin me dizajnerë të ndryshëm dhe ata qepin fustane të posaçme për tapetin e kuq,” shpjegon Bebe.

“Ekipi im foli me disa dizajnerë dhe shumë prej tyre s’duan të më veshin sepse jam shumë e shëndoshë. Në kuptimin e parë të fjalës, jam shumë e shëndoshë,” vijon ajo. “Nëse masa 38 ose 40 është shumë e shëndoshë, atëherë s’di ç’tju them. Nuk dua t’i vesh fustanet tuaja. Është një çmenduri. Po u thoni gjithë grave në botë që janë 38-a ose 40-a që s’janë mjaftueshëm të bukura për fustanet tuaja. Ju që thoni se jam e trashë dhe se s’vesh dot fustane – Pirdhuni! S’i dua fustanet tuaja.”

Bebe tha diçka të ngjashme edhe vjet, kur deklaroi veten si “masa 40 dhe krenare.” Ajo shpjegon se shtëpitë e modës u dërgojnë artistëve masa standarte që sigurisht, nuk u bëjnë të gjithëve. “Nuk më bëjnë dhe s’kam ndërmend të ndryshoj që të më bëjnë,” shpjegoi Bebe asokohe.

Thjesht po presim që Christiano Siriano, që veshi Beben për ceremonitë e VMA dhe Billboard Music Awards vjet, të vërë dorë dhe ta nxjerrë nga situata.

 

Source : ANABEL