Aktorja amerikane Jessica Alba është detyruar t’i paguajë ish-bashkëshortit të saj, Cash Warren, një shumë shtesë prej më shumë se gjysmë milioni dollarësh, pas një vendimi të ri gjyqësor lidhur me divorcin e tyre.
45-vjeçarja kishte rënë dakord në fillim të këtij viti t’i paguante Warren-it 3 milionë dollarë në kuadër të marrëveshjes financiare për finalizimin e divorcit, i cili u zyrtarizua nëntë muaj më parë.
Megjithatë, të premten, më 20 nëntor, Gjykata e Lartë e Qarkut të Los Anxhelosit vendosi që aktorja t’i paguajë atij edhe 577.481 dollarë të tjera. Kjo shumë lidhet me një skemë pjesëmarrjeje në fitimet e kompanisë së saj, HonorBar Inc., sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista “People”.
Cash Warren ka të drejtë të zgjedhë nëse dëshiron ta marrë shumën menjëherë, si pagesë të vetme, apo ta transferojë atë në një llogari individuale pensioni ose në një tjetër program të përshtatshëm pensionimi.
Jessica Alba dhe Cash Warren ishin së bashku për 20 vite dhe u martuan në vitin 2008. Në janar të vitit 2025, ata njoftuan ndarjen, ndërsa kanë rënë dakord të ndajnë kujdestarinë e tre fëmijëve të tyre.
Çifti nuk kishte nënshkruar një marrëveshje paramartesore dhe, gjatë procesit të divorcit, vendosi që asnjëri prej tyre të mos i paguajë tjetrit detyrim financiar për fëmijët apo mbështetje ekonomike bashkëshortore.
Pas ndarjes, Alba është përfolur për një lidhje romantike me aktorin Danny Ramirez, 11 vite më të ri se ajo.


