“Sanremo” duket se do të mirëpresë një tjetër shqiptare në edicionin e këtij viti. Pas lajmit të djeshëm se Alketa Vejsiu do të jetë një nga prezantueset e këtij festivali, mësohet se drejtori artistik i “Sanremo”, Amadeus, ka vendosur që të ketë dy të ftuar specialë për eventin muzikor më të dashur për Italinë.
Përveç Lewis Capaldi-t, i cili është konfirmuar që më 11 dhjetor 2019, Dua Lipa do të ngjitet në skenë jo vetëm për të performuar, por edhe për të promovuar, ndër të tjera, turneun e saj “Future Nostalgia”. Gjatë turneut, Dua do të udhëtojë drejt Italisë në muajin prill, për të mbajtur disa koncerte. Sipas mediave italiane, Lipa do të përfitojë nga rasti për të sjellë në vëmendje planet e saj të ardhshme, duke dhuruar njëkohësisht spektakël gjatë një prej mbrëmjeve të “Sanremo”.
Festivali do të nisë më 4 shkurt, ndërsa mësohet se do të ketë si prurje të reja, ashtu dhe artistë të cilët kanë qenë pjesëmarrës edhe në edicionet e mëparshme. Për sa i përket lajmit për Duan si e ftuar speciale, kjo e fundit ende nuk ka patur një reagim publik. /News31.al/