Ndahet nga jeta poeti Fatos Arapi

Mëngjesin e sotëm u nda nga jeta në moshën 89- vjeçare shkrimtari i njohur shqiptar, Fatos Arapi.

Prej 10 vitesh Arapi ishte i sëmurë dhe nuk dilte nga banesa, pas një hemorragjie cerebrale. Lajmi është bërë me dijeni nga familjarët, ku mësohet se ceremonia e varrimit do të mbahet në varrezat e Sharrës, Tiranë.

Advertisement

Fatos Arapi lindi në vitin 1929 në Vlorë. Po atje kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Shkrimtari ka punuar shumë vite si gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës.

Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi “Kurorën e artë” në manifestimin poetik Mbrëmjet e poezisë strugane dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi.

Përveç poezisë, Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.