Ameli, vajza e Albanit dhe Miriamit është tashmë dy vjeç e gjysmë, por Miriam nuk ka harruar ende kohën kur ajo kaloi plot 18 orë në spital në pritje për ta lindur në mënyrë natyrale dhe pastaj përfundoi me operacion.
E ftuar “Në Kurthin e Piter Pan”, këngëtarja rrëfeu gjithë “peripecitë” që kaloi derisa solli në jetë vogëlushen e ëmbël.
“E gjithë historia e lindjes së Amelisë ka qenë si një film dramë-komedi. Unë, si natyrë, jam shumë frikacake, kam frikë nga gjithçka. Edhe kur bëra testin e shtatzënisë, në fillim u gëzova, pastaj u kujtova dhe thashë: “Obobo, duhet të lind…” Çdo natë gjatë atyre muajve nuk flija, sepse mendoja çfarë do të ndodhte. Nejse, 9 muaj i kalova me sukses dhe kur erdhi koha të lind, vendosa të bëj lindje natyrale, por më zgjati plot 18 orë pritja dhe mjekët vendosën në fund që duhet të operohesha. Në Gjermani, në momentin që fëmija lind, nënën e zbulojnë dhe fëmijën e vendosin në trupin e saj, por meqenëse unë isha akoma nën efektin e narkozës, këtë moment e përjetoi Albani.”
Ata ia vendosën vajzën Albanit në trup dhe e futën në një dhomë. Pas 25 minutash, kur kishte filluar të më dilte narkoza, dëgjova një zë “Can u help me?” Ishte Albani, i cili nuk kishte lëvizur për plot 25 minuta dhe ishte pothuaj i mpirë pasi kishte mbajtur Amelinë në trup.”
Sapo i erdhi Miriamit pranë, Albani të gjithë inatin e kishte me gjermanët: “Këta gjermanët janë vërtet njerëz të çmendur…” – i tha ai atëherë. Kishin kaluar vetëm 25 minuta, ndërsa ajo, pas 18-orësh, ishte në qiellin e shtatë…