Michelle Obama zbulon çfarë e bëri të dashurohej pas Barack Obama-s

Michelle nisi podcast-in e saj këtë javë dhe i ftuari i parë nuk mund të ishte askush tjetër, përveç ish-presidentit, Barack Obama.

Edhe më parë ata kanë folur për fillimin e marrëdhënies së tyre, nga i cili është frymëzuar dhe filmi “Southside with you”, por për prezantimin e “Michelle Obama Podcast”, ata diskutuan se çfarë i bëri të dashurohen me njëri-tjetrin.

Advertisement

Sikurse Michelle shpjegon, ishte sensi i empatisë për komunitetin, që e bëri avokaten e re të marrosej pas tij:

“Një nga arsyet që u dashurova me ty është sepse ti udhëhiqesh nga parimi se ne jemi përgjegjës të vëllezërve dhe motrave tona. Dhe unë kështu u rrita. Mund të them se familja, lagjja ime, nocionet e komunitetit ku u rrita, formuan pikëpamjet dhe zgjedhjet që unë bëra në jetë dhe ndjeja se e njëjta gjë kishte ndodhur dhe me ty.”

Barack, i cili njihet për batuat e tij, vazhdon: “Nuk qenka vetëm pamja ime e jashtme. Në rregull, s’ka problem.”

Këto “ngacmime” ishin të panumërta në videon 49-minutëshe. Kur ish-Zonja e Parë thotë se ata kanë qenë “duke kaluar shumë kohë së bashku në karantinë”, bashkëshorti i saj përgjigjet: “Nuk dukesh shumë e lumtur për këtë fakt.”

Autorja e “Becoming”, shton se ka qenë koha që kanë shpenzuar bashkë, që iu ka dhënë mundësinë për të folur për vizionin e tyre të përbashkët rreth së ardhmes.

“Kemi kaluar një kohë të shkëlqyer. Kemi bërë disa biseda interesante sepse këto janë kohë të çmendura…Kemi shpenzuar orë tëra duke folur se si pikëpamjet tona mbi komunitetin, formojnë atë që jemi, ndikojnë zgjedhjet që bëjmë dhe reagimet që kemi.”

Barack thotë:

“Kur unë dhe ti mendojmë se çfarë trashëgimie do të donim t’i linim Malias dhe Sashës (vajzave), më shumë se çdo gjë tjetër do të donim që ato të ishin në një vend që i respekton të gjithë dhe kujdeset për të gjithë. Një shoqëri që feston dhe i sheh të gjithë, sepse ne e dimë se edhe kur mos të jemi pranë tyre, në një shoqëri si kjo që përmenda, ato do të jenë mirë.”

Michelle Obama zbulon çfarë e bëri të dashurohej pas

Burimi: E! Online | Anabel