Gazetarja e njohur e “Top Channel”, Monika Stafa, është rikthyer në të njëjtin ekran, pas dy vitesh shkëputje nga televizioni, për të marrë postin e drejtoreshës së Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).
Stafa u shfaq dje në edicionin qendror të lajmeve në orën 3:00, duke shënuar kështu rikthimin. Por me ardhjen e Monikës në “Top Channel”, një tjetër gazetare po mendon largimin.
Bëhet fjalë për Beti Njumën, e cila sipas “Prive” është në negociata për t’u transferuar në televizionin “Ora News” dhe kjo lëvizje po bëhet pikërisht për raportin jo të mirë që Njuma ka me Stafën.
Kujtojmë se dy gazetaret kishin një raport mjaft të mirë me njëra-tjetrën deri në momentin kur pas një shkrimi të Monikës më 9 gusht 2012, me temë “Libri, lexuesi dhe mediat ne mes”, gjithçka ndryshoi mes saj dhe Njumës, e cila në atë kohë ishte pjesë e rubrikës “Vitrina e librit” për promovimin e librave.
“Fati i promovimit të vlerave të letërsisë ka mbetur në duart e gazetarëve të rubrikave kulturore, të cilët, me gjithë vlerësimet që meritojnë, në mos për tjetër për kohën që u kushtojnë autorëve duke i intervistuar pa i lexuar librat e tyre, duhet thënë se nuk janë pjesa me e kualifikuar e gazetarisë shqiptare…”, shprehej Monika në shkrimin e saj.
Menjëherë pas këtij shkrimi erdhi dhe reagimi publik i Beti Njumës, e cila shkruante se e gjitha kjo nuk është korrekte dhe e ndershme. Ajo i kujtoi Stafës edhe një mosmarrëveshje tjetër që ajo ka pasur dikur me kolegun Marin Mema, si dhe sakrificën e lodhjen me të cilën gazetarët bëjnë punën e tyre dhe e këshilloi atë që tjetër herë tjetër të jetë më e kujdesshme.
Sipas shkrimeve të mediave në atë kohë, duket se Beti Njuma nuk ka dashur ta lërë reagimin e saj thjesht me një shënim në wall-in e Monika Stafës, të cilin kjo e fundit e fshiu rreth dy ditë më vonë.
Njuma thuhet se kishte përgatitur një kundërpërgjigje për Stafën, për ta publikuar pak ditë më vonë në gazetën “Shqip”, por që nuk është lejuar nga drejtuesit, pasi rrezikohej prishja e imazhit të televizionit.