Java e Europës 2020 festohet virtualisht/ Performanca muzikore nga 4 deri në 10 maj

Java e Europës do të festohet virtualisht në një udhëtim muzikor midis të hënës 4 maj dhe të dielës 10 maj, duke na çuar në shtete të ndryshme anëtare të BE-së, po aq sa edhe nëpër Shqipëri me 15 interpretime në Internet.

Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë bën të ditur se “këtë vit, programi muzikor që do të transmetohet në faqen në Facebook të Bashkimit Europian në Shqipëri, feston bashkimin. Nga Bullgaria në Holandë, nga Greqia në Gjermani, nga Republika Çeke në Irlandë, nga Franca në Suedi, nga Kroacia në Poloni, nga Austria në Slloveni, nga Italia në Shqipëri. 18 artistë nga 14 vende”.

Advertisement

Java e Evropës 2020 ka të bëjë me më të mirën që ka sjellë situata aktuale te njerëzit: solidaritetin, forcën dhe rezistencën. Ka të bëjë me të qenit më të fortë së bashku.

Në prag të Javës së EUropës, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca tha se “muajt e kaluar nuk kanë qenë të lehtë për Shqipërinë. Kriza e tërmetit dhe ajo e Covid-19 kanë pasur një ndikim negativ për të gjithë ne. Në të njëjtën kohë, jemi bërë dëshmitarë të shembujve të shkëlqyer të solidaritetit, forcës dhe qëndrueshmërisë, të cilat duam t’i festojmë. Solidaritet mes shqiptarëve, solidaritet i shqiptarëve kundrejt miqve të tyre në Bashkimin Europian. Solidaritet i mbështetjes së pakrahasueshme nga BE-ja dhe Shtetet e saj Anëtare”.

Artistët e mirënjohur AMWIN, Ramona Tullumani, Stelios Kerasidis, ANDRRA, Remi Panossian, Eno Peçi, Diodato dhe shumë të tjerë do të interpretojnë për një javë rresht në faqet në Facebook dhe Instagram të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Në Ditën e Europës, të shtunën, më 9 maj, Ambasadori i BE-së Luigi Soreca do t’i bashkohet artistit shqiptar Alban Skënderaj në një shfaqje për të shënuar ditëlindjen e BE-së. Një paraqitje e veçantë e Al Banos do të mbyllë Javën e Evropës 2020.

Burimi: ATA