Çfarë po ndodh? Facebook fshin llogarinë që promovonte teori konspirative ndaj Covid-19

Facebook ka fshirë faqen zyrtare të teoricienit konspirativ David Icke për publikimin e “keqinformimit shëndetësor që mund të shkaktojë dëm fizik”.

Z. Icke ka bërë disa pretendime të rreme në lidhje me koronavirusin, të tilla si sugjerimi se rrjetet e telefonisë celulare 5G janë të lidhura me përhapjen e virusit. Në një video, ai sugjeroi se një grup hebre fshihej pas virusit.

Pas ndalimit, llogaria e tij në Twitter postoi: “Facebook fashist fshin David Icke – elita është e TMERRUAR”.

Facebook tha në një deklaratë: “Ne e kemi hequr këtë faqe për shkelje të përsëritur të politikave tona për keqinformim të dëmshëm”. Të Premten, grupi i fushatave Qendra Kundër Urrejtjes Digjitale (CCDH) publikoi një letër të hapur duke u bërë thirrje kompanive të teknologjisë të ndalonin llogaritë e Z. Icke.

Letra thoshte se Amazon, Facebook, Twitter dhe YouTube kishin amplifikuar “racizmin dhe dezinformimin e Icke për Covid-19 tek miliona njerëz”.

Ajo ishte nënshkruar nga deputeti Damian Collins, si dhe mjekët e famshëm Dr. Christian Jessen, Dr. Dawn Harper dhe Dr. Pixie McKenna.

CCDH tha se videot e Z. Icke që shfaqnin “pretendime të pavërteta dhe komplotiste për Covid-19” ishin parë më shumë se 30 milion herë në internet. Letra u botua pasi Facebook kishte hequr faqen e Z. Icke.

Së fundmi edhe YouTube ka bërë të njëjtën gjë.

Burimi: Revista Class