Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare feston sot 82-vjetorin e lindjes.

Një ditë më parë, Kadare u dekorua me çmimin “Nonino” në Itali. Ky çmimin i ishte akorduar disa ditë më parë, por shkrimtari udhëtoi dje drejt Italisë për ta tërhequr.

Advertisement

Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.

Kadare është autor i veprave të njohura ndërkombëtarisht si “Dimri i Vetmisë së Madhe”,”Kronikë në Gur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Vit i Mbrapshtë”, “Koncert në fund të dimrit”, “Përbindëshi”, “Nata me hënë” e shumë të tjera.

Ja si e përshkruan ai në librin “Ftesë në studio” këtë ditë:

“Kur në letra të ndryshme (anketa, kërkesë për vizë etj.) shënoj datën e lindjes, 28 janar 1936, vetëtimthi më shkon nëpër mend fjala “e mërkurë”. Ti ke lindur të mërkurën, më thoshte shpesh im atë, thua se kjo kishte një rëndësi më vete. Kur ishte në qejf, çka ndodhte rrallë, shtonte se atë të mërkurë, usta Vasili, që e kishim fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë, dhe, ndërsa zbriste nga shkalla, e kishte uruar babanë: me një djalë! Disa minuta më pas, në dhomën e dimrit, që ndodhej pikërisht në atë pjesë të shtëpisë, pullazi i së cilës riparohej, linda unë. Ndonëse nuk e shpjegonte, kuptohej që babai i jepte një kuptim të jashtëzakonshëm urimit të mjeshtrit, që ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë sipër meje, në kohën që unë vija në jetë”.