Hap dyert në Tiranë linja e gjigandit të hotelerisë në botë

Më në fund hapi dyert një nga emrat e hoteleve më luksozë në botë, Hilton Garden Inn Tirana.

Mbrëmjen e djeshme, ceremonia Gala u zhvillua në praninë e shumë të ftuarve nga fusha të ndryshme si dhe personaliteteve të qeverisjes qendrore dhe lokale. Kryeministri i Shqipërisë, Z.Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z.Erion Veliaj, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z.Blendi Klosi, përfaqësues të trupit të diplomatik në Shqipëri, media, përfaqësues të Grupit Hilton, institucioneve, bizneseve dhe organizatave të ndryshme, etj, festuan së bashku hapjen e hotelit më të ri në Shqipëri, Hilton Garden Inn Tirana në prag të Ditës Botërore të Turizmit.

Advertisement

Në emër të grupit Hilton, përshëndeti Alexandra Murray (zëvendëspresidente e Grupit Hilton për EMEA).

Ndërsa Rama e quajti si portën e parë të hoteleve me 5 yje në Shqipëri, e cila sipas tij do të pasohet nga shumë të tjera, jo vetëm në Tiranë, por edhe gjatë vijës bregdetare.

“Kam shumë besim se kjo portë që hapet në botën e hoteleve me 5 yje, është e para larg së qeni e fundit dhe shumë shpejt ne do gjendemi sërish sëbashku për të hapur porta të tjera me 5 yje këtu në kryeqyet, por jo vetëm në kryeqytet, por edhe përgjatë bregdetit, falë një hapësire të re legjislacioni dhe një qasje të re ndaj këtij niveli hotelesh që sjellin cilësi për turizmin, më shumë të ardhura, dije dhe kulturë pune në hoteleri. Ne do kemi në pak vite një hartë të ndryshuar të Shqipërisë në këtë aspekt dhe do vendosim një themel të fortë për të ndërtuar një industri turizmi që sot i mungon ky kat i lartë dhe i domosdoshëm”.

Mbrëmja festive u kulmua me prerjen e shiritit të inaugurimit dhe përfshiu vizita nëpër ambjentet e hotelit si dhe një pritje me spektër shumë të gjerë argëtimi për të pranishmit.

“Kjo ngjarje është kulmimi i shumë muajve bashkëpunimi dhe pune këmbëngulëse me investitorin Ali Selmani dhe autoritetet qendrore e lokale për të sjellë në Tiranë, markën e re dhe të freskët Hilton.” tha Michael Walker, Drejtor i Përgjithshëm. “Është kënaqësi për ne që të mirëpresim dhe t’u shërbejmë mysafirëve tanë për shumë vite në vijim”, -shtoi ai.

Hilton vjen në Shqipëri me “Hilton Garden Inn” një hotel që i drejtohet një klientele me të ardhura mesatare.

Hoteli që do të mirëpresë miq dhe visitorë do t’ju ofrojë klientëve një klimë miqësore dhe një lidhje shumë të natyrshme me Shqipërinë. Kjo vjen jo vetëm përmes shërbimit, por edhe përmes investitorit shqiptar. Në holl, në bar, në dhomat e gjumit bien në sy punimet artistike e fotografitë me motive dhe vende të Shqipërisë.

“Jemi të lumtur të sjellim mikpritjen e Hilton Garden Inn në Tiranë. Frekuentuesit e hoteleve Hilton Garden Inn në mbarë botën gëzojnë akomodim të rehatshëm dhe të përballueshëm, pajisje moderne dhe “Hilton Garden Inn Promise”, e cila afirmon qëllimin e markës për t’i siguruar çdo mysafiri një eksperiencë “better and brighter”- ka thënë Menaxheri i Përgjithshëm i Hilton, z. Michael Walker.