Aktori dhe Drejtori i pergjithshem për QKKF & TKK, Erion Isai, shprehet se ka lindur nevoja për një Teatër të ri Kombëtar, që të jetë dinjitoz si për artistët që do të luajnë aty, por edhe për spektatorët që do të vijnë të ndjekin shfaqjet.
Në një intervistë për News24, Isai ka vlerësuar nismën e kryebashkiakut Erion Veliaj për të ulur në një tryezë diskutimi të gjithë aktorët. “Në mendimin tim si një krijues i lirë, si regjisor në teatër e si aktor, e kam bindjen profesionale që Shqipëria ka nevojë për një teatër dinjitoz kombëtar. Ky takim bëri një gjë: zbuti qëndrimet e të gjitha palëve dhe minimizoi llogoret nga palët”, shtoi ai.
Ai theksoi se “ne kemi nevojë për një teatër dinjitoz. Z. Veliaj bëri një hap sot dhe në perceptimin tim kjo është një frymë që të gjithë bashkë duhet ta ndihmojmë; Bashkia që ka marrë në dorë për ta udhëhequr këtë negociatë, artistët nga ana e tyre, por sidomos mediat”, tha Isai.