Gjatë një interviste për prestigjozen “The Guardian” këngëtarja Dua Lipa, ka folur për origjinën e saj, vuajtjet e Kosovës gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe për refuzimin të gjyshit të saj për të pranuar okupimin e Kosovës nga Serbia.
Dukagjin Lipa (babai i Duas) është djali i historianit Seit Lipa, i cili në vitet e nëntëdhjeta ishte drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës. Kur konflikti nisi edhe në Kosovë, karriera e tij mori fund.
“Kur serbët erdhën, ata kërkonin që shumë historianë ta rishkruanin historinë e Kosovës. Ta ndryshonin – duke thënë se Kosova ishte gjithmonë pjesë e Serbisë dhe asnjëherë pjesë e Jugosllavisë. Ndërsa gjyshi im ishte një nga ata që refuzuan ta bënin këtë, prandaj mbeti pa punë, sepse nuk deshi të shkruante një histori, e cila nuk ishte e vërtetë për të”,- ka rrëfyer këngëtarja.
Në vitin 1992, Dukagjini dhe Anesa (nëna e Duas) kërkuan strehim në Londër, derisa prindërit e tyre mbetën në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë (nëna e Anesës është boshnjake).
Seit Lipa vdiq në vitin 1999, në vitin kur përfundoi lufta në Kosovë. “Ai kaloi infarkt në zemër. Dhe duke qenë se kufijtë ishin të mbyllur, babai im nuk ka mundur të shkojë ta shohë”,- ka treguar Dua.
Gjatë intervistës, Dua është pyetur në lidhje me politikat e Trumpit ndaj mbylljes së kufijve dhe frikës së Britanisë së Madhe nga refugjatët dhe tërheqjes nga BE (të njohur si Brexit).
“Ti e kupton në nivel personal se asnjë refugjat nuk largohet nga vendi i tij pa u detyruar “,- janë fjalët e Lipës në lidhje me refugjatët, ndërsa sa i përket Brexit-it ka thënë: “Unë e kuptoj sa e rëndësishme është për Kosovën dhe kosovarët të qenit pjesë e BE-së, sa rëndësi ka për ta që të jenë pjesë e diçkaje të tillë. Prandaj (Brexit-i) është zemërthyes”.
Derisa kur i komenton veprimet e Trumpit, lë të kuptohet se është mbesa e një historiani: “Dikur më vonë do të jemi në gjendje ta kuptojmë qartë, kur vëmë dikë në fuqi si Trumpi, se ku kemi gabuar. Dhe shpresoj të kemi kuptuar mësuar kjo”