Në një intervistë për Panoama Plus, gazetari Blendi Fevziu ka folur për herë të parë për largimin e tij nga Tv Klan pas 20 vitesh për tek Top Channel dhe për marrëdhënien e tij me Frangaj.

I pyetur nga gazetarja Ermira Shpëtimi se si qëndron e vërteta e këtij lajmi dhe cilat janë shkaqet e këtij vendimi, Fevziu është shprehur:

“Meqënëse ky lajm është bërë publik dhe shumë njerëz më kanë pyetur mua dhe stafin tim, do të jem i hapur me ju. Kohë më parë, në një bisedë me Ben Blushin, drejtorin e ri të Top Channel kemi folur për disa pakënaqësi të miat në TV Klan. Kanë qenë probleme që lidheshin me mënyrën konceptuale dhe funksionale të televizionit, për të cilat ka debate në çdo media. Blushi më bëri një propozim për të qenë pjesë e Top Channel dhe duke parë mënyrën se si ai televizion po fuqizon linjën politike dhe gazetareske pas ardhjes së Blushit, u ndjeva i tunduar nga ai propozim. Deri tani nuk kam marrë asnjë vendim nëse do të transferohem në Top apo do të qëndroj në Klan.”

Advertisement

Gjithashtu aludimet se mes Aleksandër Frangajt dhe Fevziut ka patur mosmarrëveshje, nuk mungua, por gazetari e mohoi vetë diçka të tillë.

“Mes meje dhe Frangajt nuk ka ndodhur asgjë konkrete. Vijojmë të jemi miq, por kohët e fundit unë kam patur një objeksion timin lidhur me linjën programore dhe fenomene të tjera në Klan. Nuk është se i kam folur shumë me Frangajn gjatë kësaj kohe, por i kam diskutuar së fundmi. Si çdo debat që lidhet me punën, ka gjera me të cilat kemi rënë dakord dhe të tjera për të cilat nuk mirëkuptohemi.”

Megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, Fevziu theksoi se largimi i “Opinion” nuk do ta dobësojë Klanin dhe nuk do të ketë as një ndikim tek publiku.