“Drejt suksesit” është projekti i parë muzikor që bëri bashkë Noizy-n dhe Alban Skënderaj si dhe Ajola Xoxën, e cila realizoi klipin.
Bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj, zbuloi ditën e sotme se ishte ajo ideatorja e klipit të këngës që përcjell mesazhin se gjithkush që angazhohet dhe punon merr atë që meriton.
Në rastin e saj, ndonëse shtatzënë, i është dashur të punojë 12 orë nën diell dhe ja, klipi rezultoi sukses më vete.
“Kjo foto është marrë pas 12 orëve xhirim nën diell. Për videoklipin e këngës “Drejt suksesit”, nga Alban Skënderaj dhe Noizy, një këngë që e vlerësova shumë që prej fillimit, për shkak të mesazhit shumë të rëndësishëm që përcjell për rininë shqiptare: asgjë nuk jepet falas, gjithçka arrihet me punë e sakrificë; asgjë nuk arrihet vetëm, por duke patur besim tek ata me të cilët punojmë, e duke frymëzuar e ndihmuar njëri-tjetrin. Ky është edhe koncepti që kam trajtuar në video.
E kam admiruar gjithmonë mikun tim Alban Skënderaj për seriozitetin e madh me të cilin ai punon, duke dëshmuar sërish se suksesi i vazhduar në kohë nuk arrihet nga frymezime momentale dhe është pasojë jo vetëm e talentit, por mbi të gjitha e përkushtimit serioz dhe pjekurisë profesionale që arrihet vetëm dhe vetëm prej punës së madhe. Albani nuk është rastësisht një artist i madh dhe aq i dashur nga publiku, ai është një profesionist që nuk vetëkënaqet asnjëherë prej suksesit të radhës dhe që të gjithë karrierën e tij e ka ndërtuar në sajë të punës. Ashtu edhe Noizy, asgjë nuk i është falur, ai është një njeri i palodhur në punën e tij dhe me një korrektesë dhe mirënjohje të jashtëzakonshme ndaj të gjithë atyre që punojnë me të”, -shkruan Ajola në Instagram.