Thomas Markle Sr., babai 82-vjeçar i Meghan Markle, është akuzuar zyrtarisht në Kaliforni për posedim të materialeve pornografike me të mitur dhe rrezikon deri në 40 vite burg nëse shpallet fajtor.
Sipas prokurorit amerikan Bill Essayli, Markle dyshohet se ka mbajtur negativë fotografikë me përmbajtje seksuale që përfshinte fëmijë. Materialet u zbuluan nga FBI-ja në Filipine dhe në dy ambiente magazinimi në zonën e Los Anxhelosit, pas kontrolleve të autorizuara nga gjykata.
I moshuari, i cili aktualisht mbahet në paraburgim në Florida, pritet të dalë para një gjykate federale në Los Anxhelos gjatë javëve të ardhshme. Akuzat vijnë pak ditë pasi një vlerësim psikiatrik konfirmoi se ai është i aftë mendërisht për t’u përballur me procesin gjyqësor, pavarësisht diagnozës së demencës në fillim të këtij viti.
Markle u arrestua më 6 nëntor në një qendër kujdesi për të moshuarit në Florida. Fillimisht u lirua me kusht, por u ndalua sërish pasi dyshohet se hoqi pajisjen elektronike të monitorimit nga kyçi i këmbës.
Hetimet janë shtrirë edhe në Filipine, ku djali i tij, Thomas Markle Jr., pretendon se ka zbuluar materiale të tilla në banesën dhe magazinën e të atit. Thomas Markle i ka mohuar akuzat, ndërsa vajza e tij Samantha ka dalë në mbrojtje të tij.
Meghan Markle ka deklaruar se është “thellësisht e tronditur” nga akuzat e ngritura ndaj babait të saj, me të cilin prej vitesh nuk ka marrëdhënie. Ndërkohë, nëna e saj, Doria Ragland, raportohet se ka ndihmuar FBI-në në identifikimin e ish-bashkëshortit në disa fotografi.

