Papritur gjatë emisionit You & Me me Jukën dhe Zogën në radion ENERGY, futet në studio një ndër figurat më të dashura për Shqipërinë, Lorik Cana.
Ish-kapiteni u rehatua përballë Julkës dhe pa humbur kohë na shpjegoi edhe njëherë punën e shtatzënisë të bashkëshortes së tij. Duke qeshur (por seriozisht) Lorik tha se nuk do të ndalen me një fëmijë, por Monica absolutisht nuk është shtatzënë.
Për momentin Cana është i angazhuar me fondacionin “Lorik Cana”, projekt ky për ndërtimin e infrastrukturës sportive në kopshtet publike, me synim masivizimin e pjesëmarrjes në sport për një jetë më të shëndetshme. Jo më kot para pak ditësh ai u vlerësua me çmimin “Albanian Sports Ambasador”, për të gjithë kontributin e dhënë në imazhin pozitiv të Shqipërisë, përmes futbollit.
“Është një kënaqësi”, u shpreh Lorik, “Unë kam pak kohë që jetoj në Shqipëri dhe është një diferencë shumë e madhe kur jeton jashtë dhe vjen se sa kur je këtu. Ne [që kemi jetuar jashtë], me aq sa mundemi, bëjmë gjithçka për një përfaqësim sa më dinjitoz të vendit tonë dhe arti, sporti e kultura ta japin këtë mundësi.”
Ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare shtoi gjithashtu se aktivitet sportive janë përsëri të pakta për fëmijët, por ai po përpiqet sa më shumë, sidomos përmes fondacionit t’i bëjë fëmijët “njësh me sportin”.
Para pak se të largohej ama, Lorik Cana zbuloi një projekt tepër interesant që lidhet me jetën e tij. Në fund të vitit do të kemi mundësinë të shikojmë një film-dokumentar realizuar nga një regjisor shqiptar (i cili prej kohësh ka punuar si gazetar sportiv e që e njeh mirë ish-futbollistin). Dokumentari do të jetë 1 ore e 30 minuta i gjatë, titulli i së cilit nuk është vendosur zyrtarisht, por mendohet të quhet thjesht “Lorik”.
Për më tepër ndiqni intervistën e plotë më poshtë.