Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Vlashent Sata, Shpat Deda bashkohen në një këngë për të mbrojtur lumenjtë e Shqipërisë.
“S’duam tuba, s’duam diga, s’duam pengesa edhe prita, duam çdo njeri i mirë të thërrasë: Lum Lumi i Lirë!”, kjo është thirrja grupit të artistëve që u bënë bashkë, pas dy vitesh koncerte-protestë në mbrojtje të lumenjve shqiptarë, kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë dhe Vjosë (kujtojmë koncertet-protestë “Mos ma prek Valbonën”, “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri”, “Mos ma prek Vjosën”).
“A mund ta ndryshojmë botën me një këngë? Jo, por një këngë ndryshon botëzën dhe perceptimin e secilit prej nesh!
Një këngë solidarizon, frymëzon, shpëton, fal shpresë. Shqetësimet dhe vullneti për të krijuar një këngë-protestë…”, shkruan Eda Zari.
Artistët janë shprehur se me vetëdije morën nismën jo vetëm për të prodhuar muzikë, jo vetëm për t’i mëshuar thirrjes për shpëtimin e lumenjve, por “krijuam një këngë që ka një qëllim edhe më të epërm: Ku ka lumenj, ka gjithmonë arsye për të ndërtuar ura mbi të cilat ecim dhe përqafojmë hallet e njëri–tjetrit.”
Kjo është parë si një përpjekje për të bashkuar dhe solidarizuar aktivistët, shoqatat, si ato pro Valbonës dhe Vjosës, por edhe individë të shqetësuar për kauzën.“Nga ana tjetër, kënga dëshiron të shpërndajë mesazhin se nuk ka natyrë, lumë, ajër, tokë që të trajtohet si një i nënës e një i njerkës. Në mënyrë të pa partishme dhe vetëm duke bërë përpjekje të përqendruara, por të bashkuar, mund të mposhten vendimmarrësit e gabuar dhe planet e tyre fatkeqe.”, pohojnë në deklaratën e tyre artistët.
“A do të mundemi të ndërgjegjësohemi për një të vërtetë të madhe se, as në një të ardhme të afërt, por as të largët, kurrë, s’ka për të pasur një Shqipëri të dytë me këtë natyrë si kjo që kemi?! Prandaj ejani ta mbrojmë!”, bëjnë apel artistët, duke shtuar se fuqia e muzikës vjen më së pari për zgjimin e vetëdijes.