Zv.kryeministri, Niko Peleshi së bashku me zv.ministrin e Energjisë,  Ilir Bejtja dhe kreun e Emergjencave Civile, Shemsi Premçi pritën në një takim përfaqësinë e grevistëve të Zharrëzës.

Zyra e shtypit e MIE-së zbardh takimin e zhvilluar sot, duke sqaruar se u zhvillua në një frymë pozitive dialogu dhe ku u dakordësua mes palëve për vazhdimin e procesit të filluar tashmë për zgjidhjen e situatës së krijuar.

Advertisement

Përfaqësuesit e qeverisë informuan grevistët se nuk është pritur kjo grevë por që prej rikthimit të lëkundjeve në Nëntor-Dhjetor 2016 dhe përmes grupit ndërministror të ngritur me urdhër të Kryeministrit janë marrë disa masa.

Që në datën 26 Dhjetor 2016 është urdhëruar ndalimi i injektimit të ujit teknologjik nga Bankers Petrolim në zonën e Zharrëzës, ndalim që vazhdon dhe sot. Nga banorët u kërkua që ndalimi të bëhet definitiv ç’ka u pranua dhe institucionet përkatëse do të marrin masat për ndalimin përfundimtar të injektimit të ujit teknologjik në zone njësoj siç e përcakton edhe raporti i grupit ndërministror të punës.

Gjithashtu, është bërë vlerësimi paraprak i dëmeve të shkaktuara në banesat e qytetarëve të Zharrëzës. Janë evidentuar 508 shtëpi të dëmtuara prej të cilave 44 të dëmtuara rëndë dhe 26 të pabanueshme. Banorët kërkuan që vlerësimi të mund të rikryhet në ato raste kur ka kontestime. Brenda javës së ardhme do të ngrihet një grup me ekspertë teknikë për të rivlerësuar rastet e kontestuara nga banorët.

Nga Drejtoria e Emergjencave Civile dhe pushteti lokal, në mënyrë të menjëhershme janë marrë masa për ndjekje me procedurë të përshpejtuar të procesit të sistemimit në banesa me qera në mënyrë të përkohshme për banorët e 70 shtëpive të dëmtuara në mënyrë të rëndë, derisa ato të riparohen apo rindërtohen sipas rastit.

Sistemimi i banorëve dhe riparimi i dëmeve të këtyre 70 banesave do të bëhet në masë të plotë nga qeveria dhe kompania pa pritur zbulimin shkencërisht të provuar të shkaqeve të lëkundjeve. Brenda javës që vjen, qeveria angazhohet të përmbyllë të gjitha modalitetet e kërkuara nga grupi ndërministror i punës ngritur me urdhër të Kryeministrit. Për banesat që nuk klasifikohen në gjendjen e emergjencës do të shpërblehen gjithashtu në mënyrë të plotë në varësi të rezultateve të ekspertizës së pavarur mbi shkaqet e lëkundjeve.

Në takim u sqarua se vazhdon procesi i vlerësimit të shkaqeve nga vijnë lëkundjet. Mbi bazën e të dhënave të regjistruara është përzgjedhur një listë ekspertësh të pavarur ndërkombëtar që do të kryejnë këtë analizim.