Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar mospjesëmarrjen e tij në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, që do të zhvillohet më 29 prill.

Shfaqja tejet tërheqëse bën bashkë figura të njohura, gazetarë dhe politikanë, e normalisht përfshin edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Advertisement

Por Trump ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë ceremoni, vetëm një ditë pasi Shtëpia e Bardhë përjashtoi një sërë mediash kombëtare e ndërkombëtare nga një seancë informuese joformale.

E megjithëse shpeshherë ai e ka përshkruar mbulimin negativ të lajmeve si “të rreme”, ai nuk ka dhënë asnjëherë asnjë provë për pretendimin e tij.

Njoftimi i presidentit amerikan vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Shtëpisë së Bardhë dhe disa prej medieve vazhdojnë të përkeqësohen.

Të premten, “BBC”, “CNN”, “Buzzfeed” dhe “New York Times” ishin mes grupeve mediatike të ndaluara për të marrë pjesë në një seancë informimi joformale pa kamera, që do të zhvillohej nga Sekretari për Shtypin, Sean Spicer.

Disa orë përpara kësaj seance informimi, Trump kishte lëshuar edhe sulmin më të fortë ndaj atyre që ai i quan si “lajme të rreme” në media, duke shënjestruar ngjarjet që krijoheshin nga burime anonime. Ai tha se “lajmet e rreme” ishin “armiq të popullit”.

Trump e njoftoi mospjesëmarrjen në mbrëmjen e korrespondentëve përmes rrjetit social “Twitter”. “Nuk do të marr pjesë në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë këtë vit. Ju lutem, urojini më të mirat kujtdo dhe kalofshi një mbrëmje të këndshme”.

“Bloomberg News” dhe revista “The New Yorker” janë mes medieve që kanë njoftuar se nuk do të zhvillojnë festat e tyre të zakonshme këtë vit. Madje ka pasur edhe disa thirrje, që gazetarët të bojkotojnë këtë shfaqje.

Sipas “New York Times”, që prej vitit 1924 çdo president ka marrë pjesë në mbrëmjen e korrespondentëve të paktën një herë.

Gjatë kësaj shfaqjeje, ata tradicionalisht kanë mbajtur fjalime gazmore dhe të shkujdesura. Ish-presidenti Barack Obama mori pjesë në këtë ceremoni plot 8 herë, duke mos munguar në asnjë vit të presidencës së tij prej dy mandatesh.

Në të kaluarën, Trump ka qenë pjesëmarrës i rregullt i kësaj mbrëmjeje. Ndërsa në vitin 2011, Barack Obama tha me shaka se Trumpi do ta kthente Shtëpinë e Bardhë në kazino, nëse bëhej president, e më pas nisi të tallej me thashethemet e atëhershme – të cilat më pas u përdorën edhe nga vet Trumpi, – se presidenti Obama nuk kishte lindur në SHBA.