Muaj më parë, “Facebook” reklamoi me të madhe se aplikacioni “whatsapp”, i blerë më herët nga kompania e Mark Zukerberg, ishte më i sigurti në botë dhe nuk mund të përgjohej apo spiunohej në asnjë mënyrë.
Por duket se kjo ishte thjesht reklamë, pasi ekspertët kanë zbuluar dhe konfirmuar se “whatsapp” ka një defekt të rëndë në siguri, që u mundëson palëve të treta të lexojnë mesazhet e koduara.
Zbulimi u bë në fillim nga Tobias Boelter, një ekspert kriptografie dhe sigurie në Universitetin e Kalifornisë në prill të vitit 2016, e pavarësisht se ai informoi “Facebook” për këtë, media të ndryshme, mes të cilave “the Guardian” konfirmojnë se defekti është ende i pranishëm.
“Facebook” dhe “whatsapp” pretendojnë se siguria e mesazheve është kaq e lartë, saqë as ata vet nuk mund t’i shohin ato, por vetëm dërguesi dhe marrësi. Kjo u shit si një arritje e madhe, pasi edhe nëse qeveritë i kërkonin “Facebook” akses në “whatsapp” për hetime të ndryshme, kompania thoshte se e kishte të pamundur, diçka që mesa duket s’është e vërtetë.
Teknikisht, kur dikush dërgon një mesazh në “whatsapp”, përmbatja e tij kodohet shumë fort me kode shumëshifrore, që ndryshojnë çdo herë dhe vetëm marrësi mund ta lexojë atë. Por “whatsapp” ka aftësinë që ta detyrojë programin të rikodojë mesazhet dhe t’i ridërgojë ato, sidomos kur marrësi është “offline”, e gjatë ridërgimit, një palë e tretë mund t’i diktojë dhe t’i lexojë. Marrësi nuk e kupton kurrë këtë, që mesazhi është ridërguar, ndërsa dërguesi lajmërohet nëse ka zgjedhur opsionin e duhur në menu dhe vetëm pasi mesazhet janë ridërguar.
Sipas aktivistëve, ky defekt, mbase i qëllimshëm, është një kërcënim serioz për privatësinë. Për më tepër dërgon mesazhin se edhe aty ku garantohet, siguria dhe privatësia nuk ekzistojnë dhe se në botën e teknologjisë asgjë s’mund të mbesë e fshehtë.
Burimi:Gazeta Shqip.