Weinstein | Pakt 44 mln dollarësh me gratë që e akuzojnë për sulme seksuale.

Producenti i famshëm i Hollywoodit, Harvey Weinstein, dhe pjesëtarë të bordit drejtues të ish-studios së tij filmike kanë arritur një marrëveshje me gratë që e akuzuan për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyre. Avokatët e tij thonë se marrëveshja për të zgjidhur paditë ligjore civile dhe për të kompensuar viktimat e pretenduara shkon në shifrën e 44 milionë dollarëve, por sidoqoftë Weinstein vazhdon të mohojë ngacmimin seksual apo abuzimin me mbi 75 gra.

Skandali i bujshëm lindi në tetor të vitit 2017 kur “New York Times” publikoi një histori që detajonte dekada akuza për ngacmime seksuale në drejtim të Harvey Weinstein. Aktoret Rose McGowan dhe Ashley Judd ishin mes të parave që dolën hapur në fajësimin e tij. Ai akuzohet se i detyronte ato ta “masazhonin” , ta shihnin lakuriq, të kryenin akte seksuale në zyrë, ndërsa në këmbim u premtonte  karrierë, pushtet ose para.  Producenti bëri një “mea culpa” duke pranuar se kishte shkaktuar shumë dhimbje, por mohoi akuzat.

Advertisement

Furia kundër Weinsteinit çoi në krijimin e asaj që u quajt lëvizja “#MeToo”, që pa qindra gra të akuzonin meshkuj të profilit të lartë në biznes, qeveri dhe mjedise të tjera për abuzime seksuale dhe ngacmime.

Weinstein është një prej producentëve më të famshëm të Hollywoodit. Ai ka punuar me një sërë filmash që kanë fituar çmime prestigjioze, përfshirë këtu “Shakespeare in Love”, “The King’s Speech” dhe “The Artist”. Filmat e prodhuar prej tij kanë siguruar më shumë se 81 çmime “Oscar” që prej vitit 1999, dhe ai cilësohej si “Zoti” i tyre.

/Opinion/