Bashkimi Europian do të mund të pezullojë për një periudhë të shkurtër kohore regjimin e lirë të vizave nëse vëren flukse të larta emigrimi të paligjshëm drejt vendeve anëtare.

BE ka miratuar draftin final të vendimit i cili do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.

Advertisement[the_ad id="69159"]

Shqipëria mund të jetë një vend që mund të rrezikojë në rast se flukset emigratore do të jenë të njëjta me ato të periudhës 2014-2015. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria u rrit me 439%, duke arritur në rreth 67,000 në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin vitin paraardhës (Raporti: Shqipëria dhe Kosova kryesojnë azilkërkuesit nga Europa). Në këtë shifër janë të përfshirë vetëm individët që janë regjistruar si azilkërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 67,000.

Sipas komisionerit të BE-së Dimitris Avramopulos një masë e tillë ka për qëllim që të parandaluar flukset migratore, si dhe për të ‘shtrënguar’ masat për ato vende që nuk respektojnë rregullat e hyrjes.

Shtetet anëtare të BE-së mund të vendosin që të zbatojnë mekanizmat e pezullimit duke vënë në dijeni Komisionin Europian nëse ato gjatë harkut kohor të dy muajve (krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë) me një ose më shumë nga rrethanat e mëposhtme:

-Rritje të konsiderueshme (më shumë se 50%) në migrimit të parregullt, personave me kohë më të gjatë qëndrimi, si dhe atyre që iu është refuzuar hyrja

-Rritje të konsiderueshme (më shumë se 50%) në të gjitha kërkesat për azil, normë të ulët njohjeje (rreth 3-4%);

– Rënie të bashkëpunimit

-Në rast të rritjes së rreziqeve për sigurinë e shteteve anëtare, në veçanti për kryerjen e vepra të rënda penale.

Komisioni do të ketë gjithashtu të drejtë që të vendosë mekanizmin edhe për ato vende që kanë kaluar dialogun për liberalizimin e vizave.

Mekanizmi nuk i drejtohet një vendi në veçanti. Kjo vlen në mënyrë të njëjtë për 60 vendet, shtetasit e të cilëve mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Ai u prezantua për herë të parë si pjesë e politikës së vizave të BE-së në vitin 2013, por në maj 2016, komisioni propozoi rishikimin e rregullave ekzistuese për të forcuar më tej masat. Këto masa do t’i lejojnë vendet e BE-së që të reagojnë shumë më shpejt dhe në mënyrë më fleksibile.