Bashkimi Europian do të mund të pezullojë për një periudhë të shkurtër kohore regjimin e lirë të vizave nëse vëren flukse të larta emigrimi të paligjshëm drejt vendeve anëtare.
BE ka miratuar draftin final të vendimit i cili do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.
Shqipëria mund të jetë një vend që mund të rrezikojë në rast se flukset emigratore do të jenë të njëjta me ato të periudhës 2014-2015. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria u rrit me 439%, duke arritur në rreth 67,000 në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin vitin paraardhës (Raporti: Shqipëria dhe Kosova kryesojnë azilkërkuesit nga Europa). Në këtë shifër janë të përfshirë vetëm individët që janë regjistruar si azilkërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 67,000.
Sipas komisionerit të BE-së Dimitris Avramopulos një masë e tillë ka për qëllim që të parandaluar flukset migratore, si dhe për të ‘shtrënguar’ masat për ato vende që nuk respektojnë rregullat e hyrjes.
“Shtetet anëtare të BE-së mund të vendosin që të zbatojnë mekanizmat e pezullimit duke vënë në dijeni Komisionin Europian nëse ato gjatë harkut kohor të dy muajve (krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë) me një ose më shumë nga rrethanat e mëposhtme:
-Rritje të konsiderueshme (më shumë se 50%) në migrimit të parregullt, personave me kohë më të gjatë qëndrimi, si dhe atyre që iu është refuzuar hyrja
-Rritje të konsiderueshme (më shumë se 50%) në të gjitha kërkesat për azil, normë të ulët njohjeje (rreth 3-4%);
– Rënie të bashkëpunimit
-Në rast të rritjes së rreziqeve për sigurinë e shteteve anëtare, në veçanti për kryerjen e vepra të rënda penale.
Komisioni do të ketë gjithashtu të drejtë që të vendosë mekanizmin edhe për ato vende që kanë kaluar dialogun për liberalizimin e vizave.
Mekanizmi nuk i drejtohet një vendi në veçanti. Kjo vlen në mënyrë të njëjtë për 60 vendet, shtetasit e të cilëve mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.
Ai u prezantua për herë të parë si pjesë e politikës së vizave të BE-së në vitin 2013, por në maj 2016, komisioni propozoi rishikimin e rregullave ekzistuese për të forcuar më tej masat. Këto masa do t’i lejojnë vendet e BE-së që të reagojnë shumë më shpejt dhe në mënyrë më fleksibile.