Pas afro një dekade nga prezantimi i projektit për rijetëzimin e sheshit “Skënderbej” nga ana e kryebashkiakut të atëhershëm të Tiranës, Edi Rama, u vendos sot pllaka e parë.

Kryeministri Edi Rama si ideator i këtij projekti dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vendosën sot në mënyrë simbolike pllakat e para duke shënuar dhe nisjen e fazës finale për ndërtimin e sheshit “Skënderbej”, i konceptuar si një hapësirë publike kushtuar qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

Advertisement

Kryeministri Rama falënderoi Bashkinë e Tiranës për punën e realizuar brenda një kohe të shkurtër që bëri të mundur vënien në jetë të transformimit të këtij sheshi. “Mirënjohje për punën e admirueshme të Bashkisë së Tiranës që në një kohë shumë të shkurtër na jep mundësinë që të jemi së bashku, qoftë për Bulevardin Ri, qoftë dhe për rilindjen e sheshit “Skënderbej”. Një rilindje e vështirë, por ashtu siç tregojnë sytë për të gjithë ata që i kanë sytë, një rilindje që është në prag të kurorëzimit. Projekti që po finalizohet sot nuk është tërësisht projekti që u nis shumë vite më parë e që pastaj u bllokua e që u zëvendësua nga një pampers në mes të Tiranës. Është një projekt i zhvilluar dhe i transformuar tanimë në një metaforë urbane fantastike për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se për fatin më të mirë të kryeqytetit, sot përputhet qeveria në sinergji me Bashkinë e Tiranës.

“Nuk ka kryeqytet në botë përveç Tiranës që të braktiset nga qeveria e vet. Kryeqytetet janë sa të bashkisë dhe të qeverisë. Kjo sinergji sot falë përkushtimit të jashtëzakonshëm shembullor të kryetari të bashkisë dhe skuadrës së tij. Por mos harrojmë se as vizioni dhe as skuadra dhe as përkushtimi nuk do ishin materializuar nëse nuk do kishte qenë vota e qytetarëve të Tiranës që vendosi ta rikthejë Bashkinë e Tiranës nga një fjetore e improvizuar të kryetarit të bashkisë, në shtëpinë e përbashkët ku realizohen ëndrrat e përbashkëta. Dua ta mbyll me një shprehje tironse për Erionin: ‘T’lumtë dhe mos të humbtë’”, përfundoi Rama.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se projekti që po realizohet është bazuar në projektin e 2008-s të ideuar nga Edi Rama, ndërsa i është nënshtruar edhe një dëgjese me qytetarët duke reflektuar ndryshimet e nevojshme për shkak të kohës që ka kaluar.

“Morëm projektin nga Bashkia, nga administrata e vitit 2008-2009 gjatë kohës që Edi Rama ishte Kryetar i Bashkisë dhe e rikonsultuam me publikun. Falë të gjithë konsultimeve publike, besoj do hyjë në histori si projekti më i konsultuar nga publiku dhe patëm disa ndryshime. Sot sheshi do të ketë 50% pllakë. E di që sheshi duket shumë i madh, por madhësia e tij në total është 28 mijë metra katrorë, që do të thotë që barazimi i pjesës së ngurtë me pjesën e gjelbërimit krijon një ekosistem që është më i pranueshëm për dimrin e ftohtë dhe më i pranueshëm sigurisht për verën që po bëhet gjithnjë e më e nxehtë”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë shprehu bindje se krijimi i hapësirave pedonale si sheshi “Skënderbej”, si sheshi “Nënë Tereza”, si parku qendror që po projektohet në bulevardin e ri, është përgjigjja më e mirë ndaj një qyteti që është urbanizuar tej mase.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së pushtetit vendor nga Qeveria është bërë i mundur realizimi i disa projekteve të rëndësishme.

Duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së qeveria qendrore i ka dhënë bashkisë së Tiranës, Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që në 18 qershor të zgjedhin vijimësinë e investimeve dhe të projekteve për zhvillimin Tiranës moderne.

“Pavarësisht se votimet janë 1 herë në 4 vjet, për Bashkinë, apo për qeverinë, për fatin e këtij qyteti, janë vendimtare mënyra sesi shkojnë votimet, si për Bashkinë ashtu edhe për qeverinë. E pamë se çfarë kosto degradimi dhe degjenerimi pësoi urbanistika në Tiranë dhe gjithë hapësira publike, gjatë kohës kur qeveria sabotonte Bashkinë apo më keq akoma, kur qeveria vodhi bashkinë, apo më keq akoma kur qeveria dhe bashkia fjetën gjumë në plaçkën që morën dhe që nuk ditën ta administronin. Unë kam nevojë që në datën 18 Qershor, çdo njeri në Tiranë që do ta shohë që Tirana të vazhdojë t’i ketë punët mirë, është shumë e rëndësishme që në datën 18 Qershor, Tirana të vazhdojë të mbështetet nga qeveria shqiptare që drejtohet nga Edi Rama”, tha Veliaj.

Projekti për rijetëzimin e sheshit “Skënderbej” krijon hapësira ndërveprimi midis qytetarëve dhe mjedisit publik, si edhe parasheh një seri me hapësira fleksibël e multifunksionale, që i ofrojnë Bashkisë dhe individëve mundësinë për ta gjallëruar e formësuar në mënyrë të vazhdueshme sheshin.

Gjithashtu, ky shesh qendror është projektuar që simbolikisht të reflektojë unitetin kombëtar të shqiptarëve, duke vendosur materiale (gurë natyralë) dhe bimësi nga rajone të ndryshme të vendit tonë.

Projekti parashikon krijimin e një hapësire të gjelbër në 50% të sipërfaqes së sheshit, duke hijëzuar të gjitha akset kryesore të lëvizjes pedonale; mbjelljen e rreth 1500 pemëve të reja dhe mijëra bimë dekorative, shumëllojshmëri mjedisesh dhe hapësirash, e përbërë prej rreth 11 lulishtesh të ndryshme, veshja me gurë dekorativë e natyral nga të gjitha trevat shqiptare; si dhe ujitja dhe shatërvanët do të funksionojnë me sistem impianti ekologjik, duke filtruar dhe përdorur ujin e reshjeve.