Vetëvritet “Zombie Boy”, modeli i njohur në klipin e Lady Gaga-s

Rick Genest, modeli i njohur si Zombie Boy (Djali Zombi) për trupin e mbushur me tatuazhe, është ndarë nga jeta në moshën 32-vjeçare.

Modeli kanadez u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Montreal. Raportohet se shkak i vdekjes së tij ishte vetëvrasje.

Advertisement

Lady Gaga, e cila bashkëpunoi me të në klipin “Born This Way” shkroi në Twitter: “Vetëvrasja e Rick Genest, Zombie Boy është shumë e dhimbshme. Duhet të punojmë më shumë për të ndryshuar kulturën, të sjellim shëndetin mendor në qendër të vëmendjes dhe të zhdukim stigmën rreth tij. Nëse nuk ndiheni mirë mendërisht, flisni me një mik a anëtar të familjes. Duhet të shpëtojmë njëri-tjetrin.”

Stilisti i Gaga-s, Nicola Formichetti, i cili i përdori Genestin si model kur ishte drejtor krijues i Thierry Mugler tha se ishte “absolutisht zemërthyer”. Ndërsa kompania që menaxhonte Genest, Dulcedo, u shprehën “të shokuar nga tragjedia.”

Zombie Boy ishte gjithashtu dhe pjesë e librit Guinness për numrin më të madh të tatuazheve me insekte në trupin e tij.