DJ suedez, i njohur ndërkombëtarisht me nofkën Avicii, i cili ka bashkëpunuar me Madonnën dhe grupin “Coldplay”, u gjet i pajetë në Oman, një ndarje tragjike në moshë shumë të re, vetëm 28 vjeç.
Superhitet e tij “Wake Me Up”, “Hey Brother” e së fundi edhe “Lonely Together” me Rita Orën, kanë pushtuar zemrat e shumë dashamirësve të muzikës elektronike/dance.
Edhe pse përfaqësuesi i tij amerikan, përmes një deklarate për mediet njoftoi me hidhërim të thellë vdekjen e Tim Bergling, siç e kishte emrin e vërtetë, duke shtuar se familja e tij është tronditur tej mase e duke kërkuar nga të gjithë të respektojnë privatësinë në këtë moment të vështirë, asnjë shkak zyrtar për ndarjen e tij nga jeta nuk u dha.
Megjithatë, Avicii është ndeshur me disa probleme shëndetësore gjatë së kaluarës, teksa thuhet madje se ka hequr fshikëzën e tëmthit dhe apandesitin në vitin 2014. Sipas raportimeve të medieve të huaja, dyshohet se shkak të jetë bërë konsumi i tepërt i alkoolit. Pikërisht për shkak të problemeve shëndetësore, ai njoftoi tërheqjen nga turet e tij muzikore në vitin 2016.
“E di, kam qenë i bekuar që kam mundur të udhëtoj anembanë botës për të performuar muzikën time, por më ka mbetur shumë pak nga jeta e personit real që fshihet pas artistit që njihni ju”, do të shprehej asokohe Tim Bergling. Megjithatë, ai u duk se nuk u dorëzua, teksa iu rikthye sërish studios për të publikuar një tjetër këngë, të titulluar “EP” në vitin 2017.
Pikërisht kjo këngë ishte nominuar për garën e “Billboard Music Awards”, për albumin elektronik më të mirë, vetëm pak ditë para vdekjes së tij.
Shumë artistë të tjerë të kësaj rryme, dhe jo vetëm shfrytëzuan rrjetet sociale për t’i bërë nderimet Berglingut, pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta.