Twitter pranon ofertën 44 miliardë dollarëshe të Elon Musk

Miliarderi Elon Musk arriti marrëveshjen për të blerë Twitter-in për 44 miliardë dollarë (34.5 miliardë £). Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania këtë të hënë. Drejtuesit e kompanisë Twitter negociuan më pak se dy javë pasi miliarderi njoftoi për herë të parë përpjekjet për blerjen e një pjese të madhe të aksioneve të kësaj kompanie.

Musk javën e kaluar se kishte përgatitur 46.5 miliardë dollarë në fonde për të blerë platformën Twitter, duke ushtruar presion mbi bordin e kompanisë për të negociuar një marrëveshje.

Advertisement

“The New York Times”, duke cituar persona në dijeni të negociatave për situatën, të cilët nuk i identifikoi, tha më herët se gjërat po ndryshonin me shpejtësi në negociatat mes palëve që po diskutonin detajet, duke përfshirë një afat kohor dhe tarifat nëse palët tërhiqen pas nënshkrimit të një marrëveshje.

Twitter kishte miratuar një masë kundër blerjes, e cila do ta bënte shumë të vështirë dhe me kosto jashtëzakonisht të lartë një përpjekje të tillë. Por bordi vendosi të negocionte pasi Elon Musk doli me një propozim të ri që demonstronte se ai e kishte siguruar financimin për blerjen e kompanisë Twitter, njoftoi gazeta The Wall Street Journal, e cila ishte e para që raportoi se negociatat ishin duke u zhvilluar.

“Bordi i kompanisë Twitter nuk mundi të gjente një blerës tjetër dhe me financimin e siguruar nga Musk, presioni ndaj bordit u rrit, duke çuar në fillimin e negociatave për arritjen e një marrëveshjeje”, tha Dan Ives, i cili ndjek zhvillimet në kompaninë Twitter për organizatën “Wedbush Securities”.

Më 14 prill, Elon Musk njoftoi ofertën marramendëse për të blerë platformën e mediave sociale për 54.20 dollarë për aksion, ose rreth 43 miliardë dollarë, por nuk dha hollësi në atë kohë mbi mënyrën si do ta financonte blerjen.

Javën e kaluar, ai tha në dokumentet e depozituara në zyrën amerikane që merret me rregullimin e shitblerjeve të këtij niveli, se paratë do të vinin nga Morgan Stanley dhe banka të tjera, disa prej tyre të siguruara nga aksionet e tij të mëdha në prodhuesin e makinave elektrike, “Tesla”.

Miliarderi Musk në javët e fundit ka propozuar një sërë ndryshimesh për kompaninë, nga lehtësimi i kufizimeve të përmbajtjes, si rregullat që çuan në pezullimin e llogarisë së ish-presidentit Donald Trump, deri tek eliminimi i problemit të platformës me llogaritë e rreme dhe të automatizuara.

Sipas vlerësimit të revistës “Forbes”, sipërmarrësi Elon Musk është personi më i pasur në botë, me një pasuri prej rreth 279 miliardë dollarësh. Por, sipas organizatës “FactSet”, shumica e parave të tij janë të lidhura në aksionet e kompanisë Tesla dhe kompanisë tjetër private të hapësirës SpaceX. Musk zotëron rreth 17% të aksioneve të kompanisë “Tesla”, e cila mendohet të ketë vlerën e mbi 1 trilionë dollarëve.