Trupi gjykues në procesin ndaj Lindsay Clancy, e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj, ka hyrë në ditën e pestë të shqyrtimit të çështjes pa arritur ende një vendim. Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe në Shtetet e Bashkuara dhe ka rindezur debatin për shëndetin mendor të nënave dhe psikozën pas lindjes.
Clancy, 36 vjeç, akuzohet për vrasjen e tre fëmijëve të saj, 5 vjeç, 3 vjeç dhe vetëm 8 muajsh. Ajo ka pranuar se i ka vrarë fëmijët, por është deklaruar e pafajshme për akuzat, ndërsa avokati i saj mbrojtës pretendon se në momentin e ngjarjes ajo vuante nga psikoza pas lindjes. Sipas mbrojtjes, një zë i kishte thënë të vriste fëmijët.
Prokurorja e ka kundërshtuar këtë argument, duke pretenduar se Clancy i kishte planifikuar vrasjet dhe se ishte në gjendje të kuptonte pasojat e veprimeve të saj. Ditën e katërt të shqyrtimit, trupi gjykues i tha gjyqtarit se nuk po arrinte të merrte një vendim unanim. Megjithatë, gjyqtari u kërkoi anëtarëve të tij të vazhdonin diskutimet.
Nëse trupi gjykues nuk arrin të bjerë dakord për një vendim unanim, gjyqtari mund ta shpallë procesin gjyqësor të dështuar dhe çështja mund të rigjykohet.

Clancy ndodhet në karrige me rrota pasi tentoi të vetëvritej pas vrasjes së fëmijëve. Gjatë procesit, psikiatër, të afërm, si edhe ish-bashkëshorti i saj dhe babai i fëmijëve, kanë dëshmuar për gjendjen e rënduar psikologjike në të cilën ajo ndodhej në periudhën para ngjarjes.


Rasti ka shkaktuar një debat të fortë në SHBA për psikozën pas lindjes dhe mënyrën se si trajtohen problemet e shëndetit mendor te nënat. Dhjetëra gra janë mbledhur jashtë gjykatës për të shprehur mbështetjen e tyre për Clancy-n dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë çrregullim të rrallë.
Nga ana tjetër, rasti ka shkaktuar edhe zemërim të madh, veçanërisht në qarqet konservatore amerikane, për shkak të brutalitetit të vrasjeve dhe mbështetjes që disa gra i kanë dhënë nënës.

Interesi i madh mediatik rreth procesit u vu re edhe jashtë sallës së gjyqit. Një grua u arrestua pasi u filmua duke regjistruar anëtarët e trupit gjykues teksa dilnin nga ndërtesa. Ndërkohë, vendimi përfundimtar për fatin e Lindsay Clancy mbetet ende pezull.


