Administrata e Donald Trump bën një tjetër hap prapa duke vendosur të tërhiqet deri diku nga politika e tolerancës zero në kufi.
Komisionieri i mbrojtjes kufitare dhe doganave, Kevin McAleenan sqaroi se ndjekja penale e emigrantëve që kalojnë ilegalisht kufirin për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pezulluar përkohësisht.
Në këtë mënyre, siç thotë ai, thjesht u zbatua urdhri i dhënë javën e kaluar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë për fundin e ndarjes së familjeve, një fenomen ky që ka shkaktuar polemika të mëdha si brenda Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe jashtë tyre.
Por ajo që Trump në fakt sugjeronte ishte që familjet të ndaloheshin së bashku. Presidenti republikan iu dorëzua presionit publik të mërkurën kur firmosi urdhrin ekzekutiv, i cili i mban familjet bashkë në qendrat e emigranteve.
McAleenan thotë se taktikat e tolerances zero vazhdojnë të mbeten në fuqi, por sipas BBC-së, udhëzimet e tij ndaj agjenteve kanë krijuar një lloj pështjellimi.
Sipas kësaj praktike, prindërit nuk mund të ndiqen penalisht nëse janë të shoqëruar me fëmijë dhe zyrtaret amerikane nuk kanë më ndërmend ti ndajnë. Kjo do të thotë se agjentët kufitare që ndalojnë emigrantë të rritur pa dokumente të shoqëruar nga të mitur, do t’i dorëzojnë një fletë që dëshmon shkeljen e do t’i lënë të largohen në punën e tyre në vend që t’i mbajnë në qendrat e ndalimit.