Tragjedi në Rusi, 48 viktima dhe dhjetra të zhdukur pas zjarrit në një qendër tregtare

Mbrëmjen e djeshme një zjarr gjigant përfshiu një qendër të madhe tregtare të qytetit siberian Kemerovo, duke marrë të paktën 48 jetë njerëzish.

27 të tjerë rezultojnë të zhdukur e, sipas zyrtarëve rusë, 41 prej viktimave të flakëve që gllabëruan katet e sipërme të qendrës që kishte edhe një kompleks argëtimi, mund të jenë fëmijë. Zjarri nisi pikërisht në katin e fundit të godinës 4-katëshe, ku ndodhej kompleksi “Winter Cherry”. Në ato momente, shumë prej viktimave gjendeshin në kinema. Për t’i shpëtuar ferrit të flakëve, disa njerëz kanë tentuar deri edhe të hidhen nga dritaret. Sfungjeri te këndi i lojrave, thonë dëshmitarët, ka marrë flakë si të ishte barut.

Advertisement

Gati 660 punonjës të emergjencës u dërguan në vendngjarje, ku përmes ndërhyrjes së tyre, 22 persona u arrit të shpëtoheshin nga një situatë e vështirë, ndërsa 100 të tjerë u evakuuan pa probleme.

Zjarri është vënë nën kontroll e autoritetet kanë nisur mbi çështjen një hetim penal. Familjeve të viktimave, sipas guvernatorit të Kemerovos, do t’i paguhen secilës 1 milionë rubla apo 17 500 dollarë dëmshpërblim.