Chloe Antoni Uoford, e njohur si Toni Morrison, lindi më 18 shkurt të vitit 1931, në Lorain, të Ohaios. Ajo ishte fëmija i dytë, ndër katër fëmijët e një familjeje të thjeshtë. Që kur ishte fëmijë, Toni Morrison lexonte libra në mënyrë konstante. Autorët më të preferuar të Morrison ishin: Jane Austen dhe Lev Tolstoi. Babai i saj, Xhorxh Uoford, saldues në profesion, kur ajo ishte e vogël shpeshherë i ka treguar shumë tregime popullore me tema afro-amerikane, gjë që Morrison do ta reflektonte edhe në punët e saj më vonë. Në vitin 1949, Morrison hyri në universitetin e Howardit, për letërsi angleze, për shkak se emri i saj Chloe theksohej me vështirësi, ajo e ndërroi emrin në Toni.
Morrison mori në vitin 1953 nga universiteti çmimin B.A. në degën e letërsisë, më pas ajo do të fitonte titullin “Master of Arts”, po në degën e letërsisë, nga universiteti Kornell në vitin 1955. Po në këtë vit Morrison shkroi disa teza rreth vetvrasjes, duke u mbështetur shumë në punët e shkrimtarëve si Uilliam Faulkner dhe Virxhinia Ullf. Pas dipllomimit, Morrison u bë mësuese e letërsisë angleze në universitetin e Teksasit të jugut, në qytetin e Hustonit, në shtetin e Teksasit, nga viti 1955 deri në vitin 1957, dhe më pas ajo do të rikthehej në Howard, por tashmë si mësuese e letërsisë angleze.
Morrison filloi që të shkruaj proza letrare, duke qenë pjesë e një grupi poetësh dhe shkrimtarësh informalë në universitetin e Howardit, ku takoheshin dhe diskutonin rreth punëve të tyre. Një herë ajo diskutoi me ta për një tregim të shkruar prej saj, që bënte fjalë për një vajzë me ngjyrë, e cila dëshironte shumë që të kishte sytë blu. Kjo histori më vonë do të bëhej romani më i mirë i saj, e titulluar “Syri blu”, e publikuar në vitin 1970, të cilën e publikoi gjatë kohës kur ajo kryente punën si mësuese letërsie. Në vitin 1975, romani i saj i titulluar “Sula”, u nominua për të marrë çmimin si libri më i mirë. Në vitin 1976, Morrison do të emërohej si pedagoge në universitetin e Yale. Romani i saj i tretë, i titulluar “Kënga e Solomonit”, e publikuar në vitin 1977, e bëri atë të njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Aty përshkruhet jeta e një djali zezak që gjatë viteve 70-të niset për në Detroit, ku të drejtat civile ishin akoma në pikpyetje, ai do të shkonte drejt veriut për të gjetur të shkuarën e tij. Romani u përzgjodh si libri më i mirë i muajit, romani i parë ky, i cili ishte shkruar nga një shkrimtare me ngjyrë. Para saj ishte zgjedhur romani “Djali vendas”, i shkruar nga Riçard Rajt në vitin 1940. Ai në këtë vit mori dhe çmimin e kritikës.
Në vitin 1981, Morrison do të publikonte një tjetër roman të titulluar “Ishulli i iluzioneve”, aty ajo përshkruan shumë mirë rrezikun e tjetërsimit të kulturës afro-amerikane në vitet 80-të. Në këtë kohë ajo do të bëhej anëtare me të drejta të plota në Akademinë amerikane të arteve, duke marrë shumë çmime letrare. Në vitin 1984, ajo do ta linte Random House dhe do të fillonte që të punonte si pedagoge në universitetin e shtetit të Nju Jorkut në Albany, po në këtë vit ajo do të ushtronte gjithashtu profesionin e pedagoges edhe në kolegjin Bard, këtu ajo do të vinte në skenë Dreaming Emmett me regji të Gilbert Moses. Në vitin 1987, romani i saj i titulluar “E dashur”, pati një sukses të padiskutueshëm, sidomos nga kritika. Këtu përshkruhet jeta e një skllaveje që ishte e arratisur që preferon më mirë që të vrasi vajzën e saj, që ajo të mos përjetojë ato çaste makthi që ajo kishte vuajtur përpara si skllave. Kur ajo dështoi që të merrte çmimin si romani më i mirë dhe më pas atë të kritikës, një numër i madh shkrimtarësh protestuan shumë për këtë padrejtësi. Por pak kohë më vonë ajo do të nderohej me çmimin prestigjioz, Pulizer. Romani “E dashur” u bë film në vitin 1998, po me të njëjtin emër, ky film u interpretua nga Oprah Uinfred dhe Danny Glover. Morrison më vonë do të përshkruante jetën e Margaret Garner në një opera. Opera kjo me muzikë nga Richard Danielpour. Në vitin 1989, ajo do të jepte mësim në universitetin Princeton. Një vit më vonë, në vitin 1990, ajo do të nderohej me çmimin Ndërkombëtar Chianti Ruffino. Dy vite më vonë, ajo do të publikonte “Jazz”, një volum që përfshin të gjitha tekstet e fjalimeve të saja të mbajtura nëpër konferenca në universitetin e Harvardit.
Megjithëse romanet e saja kanë në plan të parë femrat, Morrison nuk nguron të thotë se ajo nuk është feministe, ndonëse shton ajo,- “shumë veta e mendojnë këtë. Unë nuk pajtohem kurrsesi si me patriarkalizmin ashtu edhe me matriarkalizmin, unë mendoj se kjo është një mënyrë shumë e mirë që t’ia hapim dyert të gjitha gjërave”, shtoi Morrison. Ajo gjatë karrierës së saj artistike ka shkruar gjithashtu romane për fëmijë në bashkëpunim me djalin e saj, Slade Morrison.
/Gazeta SHQIP/