Tiranë, sërish alarme false për bombë te “Petro Nini” dhe “Musine Kokalari”

Dy alarme për bombë kanë rezultuar false mëngjesin e së mërkurës në kryeqytet. Njoftimi i parë u bë për një pako të dyshimtë të vendosur pranë shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari”, ndërsa njoftimi i dytë erdhi për një çantë të dyshimtë te shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi”.

Të dyja këto ngjarje kanë shkaktuar panik mes nxënësve dhe kalimtarëve të rastit, që kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila pasi ka shkuar në të dyja vendngjarjet ka vendosur perimetrin e sigurisë, e më pas ka kryer veprimet e nevojshme.
Pas shpërthimeve të kontrolluara nga forcat xheniere të Policisë së Tiranës, si në rastin e Kombinatit, ashtu dhe në atë pranë murit të “Petro Ninit”, “bombat me celular” kanë rezultuar false.
Në ngjarjen e Kombinatit, pakoja e dyshimtë ishte e lidhur me një celular mbi të, pranë shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari”, ku ndërhynë forcat e Komisariatit nr. 6. Me mbërritjen e forcave xheniere, pakos së dyshimtë iu nënshtruan disa procedura nga ku rezultoi se bëhej fjalë sërish për një alarm të rremë.
Policia ka nisur hetimet, pasi dyshohet se kemi të bëjmë sërish me dy raste të qëllimshme. Vetëm gjatë ditëve të fundit, në kryeqytet janë shënuar 5 alarme false për bombë, ndërsa policia ka dalë në përfundim se këto akte kanë për qëllim përhapjen e panikut. Një rast tjetër i ngjashëm u shënua edhe në qytetin e Durrësit javën e kaluar, ku një pako e dyshimtë ishte lënë pranë portës së një shkolle 9-vjeçare.

Advertisement