Dëshmitari tregon “planin për vrasjen” e Xhavit Halitit për 250 mijë euro

Mediat kosovare kanë publikuar sot një dëshmi ku theksohet se janë paguar 250 mijë euro për vrasjen e deputetit Xhavit Haliti, i cili ka qenë edhe nënkryetar i Parlamentit.

Sipas mediave kosovare, duke cituar deklaratën në fjalë, nënvizohet se për vrasjen e Xhavitit ka paguar shumën e parave Ibrahim Kelmendi, ndërsa ekzekutimi do të kryehej nga Florim Ejupi.
Dëshmia ka ardhur nga një person që pretendon se ka qenë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në disa vrasje, kërcënime, shantazhe e pengmarrje i cili është treguar i gatshëm të dëshmojë edhe para Prokurorisë për këtë që ai e ka quajtur plan.
Sipas Gazetës Express, dëshmitari i ka telefonuar Halitit, duke i kërkuar falje paraprakisht se ka qenë pjesë e këtij grupi ndërsa Deklarata në zyrën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, është dorëzuar nga vetë Xhavit Haliti.
Dëshmitari ka dhënë të paktën dy arsye se pse Ibrahim Kelmendi donte ta hiqte qafe Halitin në vitin 2003.
E para, sipas dëshmitarit, kishte të bënte me pretendimin se Kelmendi duhej të ishte në vend të Hashim Thaçit, por Haliti nuk e kishte lejuar një gjë të tillë.
E dyta, sipas tij, kishte të bënte me një shumë parash të fondit “Vendlindja thërret” për tërheqjen e të cilave kishin autorizim vetëm Kelmendi, Haliti dhe një person tjetër.
Haliti ka thënë se këtë deklaratë e ka dërguar në Prokurori, duke kërkuar zbardhjen e këtyre pretendimeve, derisa Kelmendi e ka mohuar gjithë këtë.

Advertisement