PE mbështetje Shqipërisë për integrimin

Në përfundim të Takimit të Tetë Ndërparlamentar Shqipëri-BE, kryetarja e Delegacionit Evropian, Monica Macovei, në një deklaratë për shtyp shprehu mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar rëndësinë e konsensusit në zbatimin e reformave.

Eurodeputetja Macovei i bëri thirrje të gjitha partive politike shqiptare që të mos përfshijnë në listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale, persona me të shkuar kriminale. Ajo po ashtu u shpreh për një hetim të pavarur dhe të paanshëm mbi akuzat e ngritura së fundi nga deputeti Tom Doshi, ndërsa nënvizoi rëndësinë e një sistemi gjyqësor të pavarur.
Në komunikimin me mediat në përfundim të takimit, Macovei, e shoqëruar dhe nga nënkryetari i komisionit të Integrimit, Taulant Balla, duke pohuar ‘diskutimet e frytshme’ me deputetët shqiptarë, bëri të ditur dhe miratimin e një deklarate të përbashkët, e cila nuk u votua nga përfaqësuesit e opozitës.
Fillimisht, eurodeputetja rumune siguroi mbështetjen e plotë të PE-së për integrimin e Shqipërisë në BE, pavarësisht, tha ajo, cilat janë partitë që përfaqësohen atje. “Ne jemi të gjithë njëzëri në mbështetje të këtij procesi për Shqipërinë. Kemi ardhur këtu që t’iu ndihmojmë e t’iu japim suport dhe dua t’u them se jemi të gjithë ‘PRO’ integrimit sa më shpejt të jetë e mundur të të gjithë rajonit të Ballkanit”, u shpreh Macovei.
Duke u ndalur tek deklarata e përbashkët, Macovei tha se ky dokument është i fokusuar në tre çështje kryesore: mbështetja për Shqipërinë në rrugën e reformave, zbatimi i marrëveshjes së 24 dhjetorit dhe domosdoshmëria e zbatimit të ligjit.
“Ne e mbështesim marrëveshjen ndërpartiake të 24 dhjetorit dhe kërkojmë zbatimin e saj. Partitë politike të hedhin hapa në këtë drejtim në mënyrë që angazhimet e përbashkëta të tyre të bëhen realitet”, nënvizoi ajo. Po ashtu, ajo theksoi nevojën e bashkëpunimit mes palëve në përmbushjen e reformave drejt BE-së, ku veçoi rëndësinë e zbatimit të ligjit.
“Ne diskutuam në takim dhe për pesë fushat parësore të refomave, por është me shumë rëndësi zbatimi i ligjeve, se përndryshe do të ishin fjalë dhe vetëm fjalë”, tha Macovei.
Në kuadër të marrëveshjes së 24 dhjetorit, eurodeputetja i bëri thirrje të gjitha partive politike që të jenë sa më të kujdesshme dhe të mos përfshijnë në listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale, persona që kanë të shkuar kriminale. Po ashtu, ajo apeloi dhe për një hetim të pavarur dhe të paanshëm nga ana e organeve të drejtësisë ndaj akuzave të Tom Doshit.
Deputeti socialist Balla u shpreh se deklaratën për të cilën ramë dakord e konsiderojmë një mesazh për Shqipërinë dhe një stimul për reformat. “Mbështesim marrëveshjen e dhjetorit të ndërmjetësuar nga PE dhe bëjmë thirrje për zbatimin e saj në kohë. Ndërkohë, duhet konsensus dhe dialog politik për reformat e integrimit”, tha Balla.
Më tej, deputeti socialist u shpreh se shpresonte që me ecurinë e reformave në vjeshtë Shqipëria të hapte negociatat me BE-në. “Përmbushja e të gjitha prioriteteve do të jetë thelbësore dhe për hapjen e negociatave, e cila, duke vlerësuar dhe mbështetjen e plotë që ekziston në PE, do të jetë një lajm i radhës për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë shpresoj që ecuria e procesit të reformave të marrë vlerësimin në vjeshtë apo brenda vitit 2015, me hapjen e negociatave”, u shpreh Balla.

Advertisement