Duke folur për mbështetjen që Italia dhe Greqia i jep këtij projekti, Panariti tha se, “pa një mbështetje të qartë politike nga këto 3 vende, shanset që ky projekt të miratohet nga konsorciumi i Shah Denizit në fund të këtij viti, nuk do të jenë aq të mëdha”. “Por në momentin që ne do ta nënshkruajmë këtë marrëveshje, dhe kjo është e vendosur dhe do të bëhet së shpejti, shanset që ky projekt të miratohet do të jenë shumë të mëdha në raport me projektin tjetër konkurues. Nga ana tjetër është e domosdoshme arritja e një marrëveshje të tillë edhe në kuadrin e një mekanizmi rregullator për çështje të mbrojtjes së mjedisit, karakterit legjislativ që lidhet me kalimin e tubacionit në të tre vendet respektive”, tha Panariti, duke shtuar se bisedimet mes tre vendeve janë në rrugë të mbarë. Përsa i përket marrëveshjes së ujërave me Greqinë, Panariti sqaroi se, kjo çështje është kategorikisht e ndarë nga gazsjellësi TAP dhe do të adresohet në momentin e duhur, ku si pikë referimi do të jetë padyshim vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se, “janë krijuar grupe pune në ministrinë e Punëve të Jashtme që po punojnë intensivisht për të dalë në opsionet përkatëse, që do të jenë edhe baza e negocimit të këtij problemi me qeverinë greke”. “Ne jemi në fazën e diskutimeve teknike për marrëveshjen e ujërave. Pika jonë e referimit për adresimin e kësaj çështje do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe në raport me të, do të ketë edhe avancim të këtij procesi. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili anulon vendimin e mëparshëm dhe mbi këtë bazë po procedohet për të riparë të gjithë procesin. Grupet e punës po punojnë mbi bazën e legjislacionit të vendit dhe legjislacionit ndërkombëtar”, tha Panariti, ndërsa hodhi poshtë çdo pretendim për ushtrimin e presioneve në këtë çështje. Duke informuar mbi vizitën e tij të ardhshme në shtetin grek, Panariti tha se, “vizita bëhet me ftesë të homologut grek në kuadrin e marrëdhënieve bilaterale me Greqinë”. “Kjo është në vazhdën e vizitave të mia në rajon, që filloi me vizitën në Itali dhe që është e natyrshme të vijohet me vizitën në Greqi, ashtu sikurse kam zhvilluar vizitën në Kosovë dhe siç kam ndërmend të bëjë vizita edhe në Mal të Zi dhe Maqedoni. Këto vizita i shërbejnë rolit aktiv që Shqipëria ka në promovimin e bashkëpunimit rajonal, si një ndër asetet tona më të vyera në rrugën e integrimit europian”, tha Panariti. Gjithashtu, Panariti foli edhe për çështjen e aplikimit të gjobave nga autoritetet greke për shqiptarët që nuk respektojnë kohëqëndrimin e tyre, sipas kritereve të përcaktuara nga marrëveshja e Shengenit. “Po shqyrtojmë rast pas rasti dhe kemi reaguar kur kemi parë që kemi shkelje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Jemi në konsultë me Brukselin dhe autoritetet greke për këtë problem. Personalisht po merrem me këtë problem dhe dje kam patur një rast të cilin e kam trajtuar edhe personalisht dhe po mundohem ta ndjek me rrugë institucionale”, tha Panariti.