Tiranë | Arrest me burg për vrasësin e Fatbardha Tafës

Seanca ndaj 20-vjeçarit nisi rreth orës 10.00, por u ndërpre me kërkesë të avokatit të të riut, Arben Qeleshi, i cili kërkoi kohë për tu njohur me dosjen. Gjatë seancës, gjykatësi Neritan Cena pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës “arrest me burg” ndaj Hoxhës. Organi i akuzës pretendon se ka prova të forta shkencore (fije floku dhe gjurmë djerse që përputhen me ADN e Hoxhës), për të provuar përfshirjen në krimin e ndodhur në zonën pranë ish-Fushës së Aviacionit, ku Fatbardha Tafa mbeti viktimë e grabitësve, ndërsa e motra, Lumturi Gjana, mbeti e plagosur. Ndërkohë i riu nuk e ka pranuar akuzën dhe ka mohuar krimin në gjykatë. Fatbardha Tafa bashkë me të motrën, Lumturi Gjana dhe fëmijët e tyre ishin duke bërë një shëtitje me këmbë në një rrugë dytësore pranë ish-Fushës së Aviacionit, kur u sulmuan nga dy të rinj me motor, të cilët tentuan t’i grabisnin varësen e floririt. Tafa ndërroi jetë nga goditja me thikë, ndërsa e motra, Lumturi Gjana mbeti e plagosur. Aldo Hoxha është i dyshuari kryesor për ngjarjen, në një kohë që ende nuk është identifikuar bashkëpunëtori i tij.