PD kujton lëvizjen studentore të dhjetorit

Partia Demokratike organizoi në Qytetin Studenti një forum të hapur me dëshmi e kujtime nga lëvizja studentore e dhjetorit ’90.

“Marshimi dhe thirrjet për liri e demokraci, gjunjëzuan regjimin e së keqes. Tirana u bashkua me lëvizjet antikomuniste të Berlinit, Pragës, Varshavës dhe Budapestit, në atë rikthim të endërruar europian. Aty bota mbarë kuptoi vokacionin perëndimor të popullit shqiptar”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Basha tha se ne vijmë këtu çdo 8 dhjetor, e do të vazhdojmë të vijmë për të përkujtuar me nderim Lëvizjen Studentore të Dhjetorit të 90-ës. Kryetari i opozitës u shpreh se tendencat e kthimit prapa në mendësitë dhe praktikat e vjetra të sundimit të oligarkisë në vend të sundimit të ligjit, si ato që manifeston dyshja Rama-Meta janë në kundërshtim flagrant me frymën dhe vlerat e Lëvizjes prej nga jemi nisur si vend dhe si shoqëri. “Njerëz të paditur kanë kapur shtetin dhe me forcën e pushtetit po ju marrin lirinë njerëzve të ditur”, tha Basha i cili shpalli dhe nisjen e projektit “Drejt lirisë”, që do të jetë një udhëtim dhe evokim i përballjeve më madhore shqiptarëve me diktaturën. Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha tha se vetëm studentët mund të çelnin portat e lirisë për shqiptarët.

Advertisement